21.5 C
Tirana

Sadushi: Kodi i ri Penal me mbivendosje ligjore, të rishikohet drafti

Më datë:

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, gjatë një tryeze të organizuar nga Ministria e Drejtësisë mbi projektin e ri të Kodit Penal ka deklaruar se “drejtësia nuk matet me shpejtësinë e ligjeve, por me cilësinë e mendimit që mbron lirinë”.

Ministria e Drejtësisë ka nisur konsultimet publike për Kodin e Ri Penal. Ky proces, vjen si domosdoshmëri për përmirësimin e kuadrit ligjor penal dhe si pjesë e angazhimeve të vendit tonë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shqipëria synon që Kodi të marrë formën përfundimtare deri në fund të vitit 2026, ndërsa miratimi i tij do të bëhet pasi të marrë “vulën” në Bruksel.

Sadushi theksoi se kritikat nuk duhet të interpretohen si kundërshtim ndaj reformës, por si “detyrim profesional e moral për ta bërë atë më të drejtë dhe më të besueshme”.

“Ky qëndrim, sado kritik, nuk duhet të shihet si refuzim ndaj reformës penale, por si detyrim profesional dhe moral i gjithë trupës gjyqësore, si një thirrje për ta bërë atë më të drejtë, më të qartë dhe më të besueshme, sepse drejtësia nuk matet me shpejtësinë e miratimit të ligjeve, por me cilësinë e mendimit intelektual, që shoqëron çdo dispozitë që prek të drejtat dhe liritë e njeriut. Hartimi i tij nuk është një ushtrim teknik, por një provë e pjekurisë juridike dhe morale të shtetit”, tha Sadushi.

Kreu i Gjykatës së Lartë vuri në dukje se procesi aktual i hartimit të Kodit nuk është mbështetur në një metodologji të qartë dhe gjithëpërfshirëse, siç ndodh në praktikat më të mira evropiane.

Ai theksoi se mungesa e qartësisë në përkufizimin e veprës penale dhe në trajtimin e elementëve të fajësisë apo bashkëpunimit hap rrugë për interpretime subjektive dhe zbatim arbitrar. Ai tha se kodi rrezikon të rrisë forcën shtetërore sesa vë theksin te garantimi dhe mbrojtja e lirisë.

“Një Kod Penal që nuk flet qartë, nuk mund të garantojë drejtësi. Projekti aktual, me mbi 950 nene, shpesh të mbingarkuara e të paqarta, rrezikon të zhvendosë theksin nga mbrojtja e lirive, drejt forcimit të ndërhyrjes shtetërore. Edhe pse riafirmon ndalimin e dënimit pa ligj, mungon një dispozitë që të përmbledhë filozofinë moderne të së drejtës penale: se ndëshkimi është mjeti i fundit, ndërsa liria është parimi themelor”, pohoi ai.

“Një Kod Penal i ri nuk mund të qëndrojë i shkëputur nga trupi i së drejtës. Në disa pjesë të projektit vërehet një përzierje e paqartë midis dispozitave materiale dhe atyre procedurale, si dhe mospërputhje me Kodin Civil, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet e tjera. Po ashtu, përfshirja e disa shkeljeve të Kodit Rrugor si vepra penale krijon dublim normativ dhe e ngarkon pa nevojë sistemin penal”, u shpreh Sadushi.

Në përfundim, kreu i Gjykatës së Lartë kërkoi rishikimin e projektit të Kodit Penal me transparencë dhe përfshirje të gjerë profesionale, duke e konsideruar këtë proces “jo si pengesë, por si garanci për cilësinë, integritetin dhe koherencën e sistemit penal”.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Sekuestrohen pasuritë e tre personave dhe kompanive të tyre

Prokuroria e Fierit ka sekuestruar pasuritë e tre shtetasve...

Kosova ndalon importin e shpendëve dhe produkteve të tyre nga Hungaria dhe Italia

Kosova e ka ndaluar përkohësisht importin e shpendëve të...

Tabaku: Nevojitet skemë e plotë pensionesh, trajtim me dinjitet

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se...