Një 33-vjeçar i cili qarkullonte i armatosur në qytetin e Lushnjes, është ndaluar nga forcat e Policisë së Lushnjes.
Sipas njoftimit zyrtar, pas informacioneve operative për një person që mbante armë zjarri me vete, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit organizuan një plan veprimi në lagjen “Loni Dhamo”.
Gjatë kontrollit, forcat operacionale lokalizuan dhe ndaluan shtetasin E. Ç., 33 vjeç, banues në Lushnje, i cili mbante me vete një armë zjarri pistoletë automatike, së bashku me një krehër që përmbante 11 fishekë.
Arma dhe municionet u sekuestruan menjëherë si prova materiale, ndërsa në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje arrestuan në flagrancë 33-vjeçarin për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.


