17.5 C
Tirana

Kosova ndalon importin e shpendëve dhe produkteve të tyre nga Hungaria dhe Italia

Më datë:

Kosova e ka ndaluar përkohësisht importin e shpendëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga Hungaria dhe Italia, për shkak të pranisë së gripit të shpendëve në këto dy vende të Bashkimit Evropian, njoftoi të mërkurën autoriteti për ushqim dhe veterinari.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) tha në një njoftim për media se këtë vendim e mori duke u bazuar në raportet e fundit nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve, si dhe Komisioni Evropian.

Raportet e tyre kanë gjetur se në shtetin e Hungarisë është i pranishëm gripi i shpendëve, serotip me patogjenitet të lartë HPAI–H5N1, në fermat komerciale dhe në shpendët e egra në njësitë administrative Jasz, Nagykun dhe Szolnok.

Ndërsa, në Itali, ky grip është i pranishëm në rajonet Emilia-Romagna dhe Lombardia, sipas AUV.

AUV tha se nga e mërkura ndalohet importi i shpendëve të gjalla dhe i produkteve të tyre që kanë origjinën nga zonat e infektuara të Hungarisë dhe Italisë, përveç nëse ato kanë origjinën nga ferma të paprekura nga sëmundja, të cilat gjenden në një rreze prej 50 kilometrave larg zonave të prekura.

“Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare dhe nga AUV”, thuhet në njoftim.

Ky njoftim vjen pasi Kosova ndaloi importin e shpendëve dhe produkteve të tyre nga Gjermania javën e kaluar.

Gjermani po përballet me një shpërthim serioz të gripit të shpendëve, dhe javën e kaluar i theri gati 1 milion shpendë.

Rreziku nga gripi i shpendëve për njerëzit mbetet i ulët, pasi shumica e rasteve të infektimit kanë qenë tek ata që kanë pasur kontakt të ngushtë me kafshë të infektuara, por virusi duhet monitoruar pasi po përhapet gjithnjë e më shumë tek gjitarët, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Derisa nuk paraqet rrezik për njerëzit, ky grip mund të shkaktojë humbje të mëdha në industrinë bujqësore dhe të sjellë mungesa të produkteve të përdorimit të përditshëm.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Komisioni i Reformës Territoriale nis punimet, PD e bojkoton, dy aleatët paraqiten në mbledhje

Komisioni i Reformës Territoriale ka nisur punimet sot, por...

Sejko: Stabiliteti financiar dhe integrimi në BE, prioritetet kryesore të Bankës së Shqipërisë

 Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot...

Rama: Digjitalizimi dhe IA, sfidë e re për Bankën e Shqipërisë

 Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në konferencën shkencore me...

“Ndriçoni Tiranën me transparencë” – Teliti i kërkon Veliajt të bëjë publike shtatë urdhra bashkiakë

Dorjan Teliti, Koordinator për Programin Ekonomik në Partinë Demokratike...