Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e Jamarbër Malltezit dhe Argita Berishës për heqjen e sekuestros mbi pasuritë e tyre.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, e cila ka lënë në fuqi masën e “ngrirjes” së një sërë pasurive të vajzës dhe dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”, raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci.
Argita dhe Jamarbër Malltezi kishin paraqitur pranë GJKKO-së një kërkesë për lirimin e 25 pasurive të sekuestruara nga SPAK, prej dy vitesh.
Në total, janë pezulluar 16 pasuri të paluajtshme, gjashtë llogari bankare dhe aksionet në kompaninë “Home Plan”. Vendimet e mëparshme të Gjykatës së Lartë dhe të Apelit të GJKKO-së nuk kanë ndryshuar statusin e këtyre pronave.
Kujtojmë se në vitin 2023, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi sekuestron preventive mbi 25 pasuri në emër të familjes Malltezi, përfshirë apartamente, vila dhe tri kompani, ku Jamarbër Malltezi zotëron aksione të rëndësishme.


