Bashkia e Pukës informoi sot qytetarët se për shkak të reshjeve intensive të orëve të fundit, janë evidentuar disa problematika në territorin e bashkisë.
Aktualisht, disa fshatra në njësinë administrative Gjegjan janë pa energji elektrike. Gjithashtu, janë shënuar rrëshqitje dherash dhe gurësh në disa akse rrugore, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim.
Rruga nacionale Pukë–Fushë-Arrëz është e bllokuar përkohësisht si pasojë e shembjeve masive të dherave. Ekipet e bashkisë Pukë ndodhen në terren me të gjitha mjetet e disponueshme dhe në bashkëpunim me kontraktorin e mirëmbajtjes rrugore, po punojnë intensivisht për hapjen sa më të shpejtë të këtij aksi të rëndësishëm kombëtar.
Strukturat e Emergjencave Civile të bashkisë janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe po mbledhin informacionet e nevojshme për të bërë administrimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga reshjet.
Bashkia Pukë është në administrim të plotë të çdo problematike dhe siguron qytetarët se nuk ka vend për panik. Situata është nën kontroll dhe të gjitha strukturat janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment.
Në të njëjtën kohë, bashkia Pukë thekson angazhimin maksimal të saj për menaxhimin efikas të emergjencave natyrore, duke bashkërenduar punën me institucionet përkatëse dhe komunitetin lokal. Përmes bashkëpunimit dhe reagimit në kohë, synohet të minimizohen dëmet dhe të rikthehet normaliteti në të gjitha zonat e prekura.


