https://www.facebook.com/watch/?v=1358342252306297
Në seancën e sotme parlamentare në Kuvend, ku u rrëzua kërkesa për mocion me debat, e bërë nga opozita, për të përsëritur seancën plenare të 18 shtatorit, ku duhej të prezantohej plani dhe programi i qeverisë si dhe kabineti i ri qeveritar.
Kërkesa për mocion me debat u rrëzua me 73 vota pro.
Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha nga foltorja e Kuvendit u shpreh se mocionet janë pjesë e instrumenteve të kontrollit parlamentar që fillojnë nga më i thjeshti, deri te komisioni hetimor.
Balla iu përgjigj edhe një herë kërkesës së opozitës për debat me mocion dhe ripërsëritjen e seancës kur u miratua programi qeverisës. Balla i kujtoi opozitës Nenin 98, për sa i përket kërkesës për mocion, i cili parashikon se mund të paraqitet një mocion për një çështje të veçantë.
“Kërkesa e parë e PD-së kërkon jo një çështje të veçantë, por disa qindra çështje të veçanta. Bëhet fjalë për bilancin e qeverisë nga 2013 deri në 2025. Kjo nuk është çështje e veçantë, pasi kemi bërë aq shumë punë, sa që jemi të gatshëm të bëjmë mocion me debat për secilën prej tyre”, tha Balla.
“Duan edhe një çështje tjetër, programi politik i qeverisjes në periudhën në vijim. Pra, e dogjën mundësinë për të bërë një diskutim si duhet në 17 shtator dhe duan të kthehen pas tani. Ne nuk kthehemi dot prapa, ecim vetëm para. Mund të bëjmë një mocion me debat për çështjet që ndërlidhen me rrugën tonë evropiane, procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe do ta kemi pas pak javësh një debat të tillë, sepse në janar-shkurt qeveria ka detyrimin të sjellë në Kuvend ecurinë e procesit të integrimit evropian”, vijoi ai.
Kreu i grupit parlamentar socialist u shpreh se opozita i sjell kërkesat të mangëta dhe të shtrembëruara, sepse nuk do debat.
“Unë nuk pranoj asnjë kërkesë që bie ndesh me rregulloren. Kërkesat sillini sipas rregullores ose nuk do keni asnjëherë dakordësi”, tha Taulant Balla.
Balla u shpreh se po kërkohet që pjesë e këtij mocioni të madh me debat të jetë edhe efikasiteti i qeverisjes, që sipas kërkuesve lidhet me integritetin e ministrave të emëruar që sapo kanë marrë besimin e shumicës parlamentare.
“Jemi të gatshëm të miratojmë çdo kërkesë që vjen nga ana juaj që bazohet në rregullore dhe që nuk sjellë thashethemet e tavolinave të Shqipërisë apo kujtdo tjetër”, tha Balla.
Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti tha se pika kryesore e diskutimeve në Kuvend duhet të jetë debati për programin qeverisës.
“Programi qeverisës është i rëndësishëm për ne si qytetarë dhe ata që na shohin. E kam lexuar programin dhe kam parë pak fjalë për shpopullimin, aspak fjalë për Kosovën. Demokracia jeton nga debati. Seanca e parë dhe debati kanë qenë esenca e demokracisë shqiptare që nga koha e Adil Çarçanit. Dëgjojeni edhe kritikën tonë, jemi shumë pranë BE-së, por jemi shumë larg praktikimit të demokracisë”, tha Alizoti.
“Opozita ka fjalën dhe seancat nuk mund të mbyllen për një reagim emocional të shumë deputetëve, pasi seanca i përket ekonomistëve, fermerëve, juristëve, shëndetësisë etj. Ne tentojmë të shkojmë në një shoqëri që ka shumë demokraci. Le të ketë dialektikë Parlamenti, pse duhet të mbyllet për një orë? Ju do keni shansin madhor të mbroni argumentet tuaja, ju ia hoqët këtë të drejtë vetes pasi e shmangi dhe kur një ekip folës shmanget nga debati tregon dobësi”, pohoi Alizoti.