Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari raportoi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale si dhe në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike, mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024 në vend.
Gjatë fjalës së tij, Lamallari theksoi se në vitin 2024 Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë të hetimeve proaktive dhe të sekuestrimeve pasurore në 5 vitet e fundit.
“Hetimet e nisura kryesisht nga prokurorët janë shtuar me 12,3%. Janë sekuestruar dhe konfiskuar 65,5 milionë euro pasuri një rritje domethënëse me gati 60% krahasuar me një vit më parë. Kjo është rritja më e lartë në 5 vitet e fundit”, u shpreh Lamallari.
Ministri nënvizoi më tej se “janë çuar për gjykim 569 çështje korrupsioni dhe shpërdorimi detyre, me 234 të pandehur”.
Sipas Lamallarit, janë trajnuar mbi 1500 profesionistë të drejtësisë dhe janë zhvilluar 190 trajnime për prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore.
“SPAK ka regjistruar 65 hetime të nisura kryesisht dhe 163 procedime me përgjime”, tha Lamallari.
Duke folur për sfidat, Lamallari theksoi se “aktualisht kemi 34,5% të organikës me vende vakante”.
“Konstatojmë një përdorim të kufizuar të teknologjive moderne në hetime. Mbetet aktuale nevoja për hetime proaktive dhe hetime të nisura kryesisht nga organi i prokurorisë”, tha ai.
Lidhur me rekomandimet për vitin 2025, Lamallari tha se “Ministria e Drejtësisë vlerëson si më të rëndësishme 5 shtylla kryesore”.
“Së pari, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut në qendër të procesit penal; së dyti, forcimi i luftës kundër kriminalitetit; së treti, integriteti dhe transparenca në veprimtarinë e prokurorisë; së katërti, rritja e eficiencës dhe kapaciteteve institucionale; së fundmi, përdorimi i metodave bashkëkohore dhe bashkëpunimi ndërinstitucional”, tha Lamallari.