19.5 C
Tirana

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, KLGJ me plan masash emergjente për gjykatat

Më datë:

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur që të hartojë një plan masash, pas mbledhjes së zhvilluar më datën 10 tetor, për adresimin e problematikave të institucioneve të drejtësisë dhe punonjësve të saj, pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit.

Në njoftimin zyrtar të KLGJ-së, masat lidhen me marrjen e informacionit të detajuar mbi sigurinë në gjykata, mbi kushtet ekzistuese të shërbimit dhe infrastrukturës në këto institucione.

“Marrjen dhe analizimin e informacionit të detajuar, lidhur me masat e marra dhe kërkesat drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor nga secila gjykatë, nga Kryetari, Zëvendëskryetarët ose Këshillat e Gjykatës, gjatë viteve 2023, 2024, 2025, me objekt administrimin/menaxhimin e sigurisë në gjykatë;

“Marrjen e informacionit lidhur me kushtet ekzistuese të shërbimit dhe të infrastrukturës së sigurisë në gjykata, pajisjen me skanera, detektorë, kamera sigurie, pajisje të tjera sigurie, si dhe funksionimin e tyre, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, me qëllim standardizimin e procedurave dhe trajnimin e personelit për menaxhimin e situatave që lidhen me sigurinë”, njoftoi KLGJ.

Pas analizimit të informacionit të marrë dhe identifikimit të problematikave dhe nevojave konkrete, KLGJ propozoi ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune me qëllim:

“adresimin e ndryshimeve ligjore dhe nënligjore për marrjen e masave për garantimin e sigurisë në gjykata për gjyqtarët, personelin gjyqësor dhe çdo përdorues të gjykatës;

“sigurimin e pranisë së punonjësve të sigurisë të trajnuar apo pjesë e Policisë së Shtetit;

“miratimin e protokolleve dhe procedurave standarde të sigurisë për secilën gjykatë;

“Ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune, me përfaqësues nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, me qëllim hartimin e masave të përbashkëta për sigurinë në sistemin gjyqësor në tërësi;

“Përafrimin e kuadrit ligjor me praktikat më të mira ndërkombëtare, lidhur me sigurinë e gjyqtarëve, stafit mbështetës, si dhe përdoruesve të gjykatës.”

Gjithashtu, njoftoi më tej KLGJ, “duke mbajtur në vëmendje detyrimet ligjore dhe punën e nisur nga viti 2021 e në vijim, me qëllim sigurimin e një infrastrukture të përshtatshme për kushtet e punës dhe sigurisë në gjykata, në bashkërendim me këshillat e secilës gjykatë, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të marrë masa të menjëhershme lidhur me adresimin pranë pushtetit vendor dhe kërkimin e ndihmës për ndërtimin e 8 godinave të reja të gjykatave të shkallës së parë në rrethet gjyqësore, si dhe ndërtimit të godinave të reja për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”.

Këshilli, gjithashtu nxit gjykatat që të marrin masa për zbatimin e projekteve, në mënyrë që fondet e akorduara të realizohen brenda vitit buxhetor.

“Në kuadër të pavarësisë institucionale, në bashkërendim me Ministrinë e Drejtësisë, të kërkojë kalimin në pronësi të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të godinave ekzistuese të gjykatave dhe atyre që do të ndërtohen;

“Analizën e të dhënave nga raportimet periodike të gjykatave, me qëllim rritjen e performancës dhe përkushtimit profesional dhe moral të secilit magjistrat;

“Ngritjen e grupeve të punës me qëllim hartimin e propozimeve për ndryshime ligjore në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, të përbërë nga anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, gjyqtarë nga të tri shkallët e gjyqësorit: Gjykata e Lartë, Gjykatat e Apelit dhe Gjykatat e Shkallëve të Para, si dhe staf drejtues administrativ pranë Këshillit”.

KLGJ kërkon edhe “bashkëpunimin me AKEP dhe AMA, me qëllim marrjen e masave për ndalimin e gjuhës së papërshtatshme ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale, platformave online dhe media, informimin e këtyre institucioneve mbi situatën aktuale, si dhe duke kërkuar prej tyre marrjen e masave konkrete brenda kompetencave ligjore

“Nisjen e procedurës për emërtimin e sallës së amfiteatrit në godinën “Poli i Drejtësisë” me emrin “Astrit Kalaja”, si dhe dërgimin e propozimit tek institucionet përkatëse, për dhënien e titullit “Dëshmor i Atdheut” gjyqtarit të rënë në krye të detyrës”.

Këshilli i Lartë Gjyqësor thekson se mbetet i përkushtuar për garantimin e një sistemi drejtësie të sigurt, të pavarur dhe funksional, në shërbim të qytetarëve dhe shtetit të së drejtës.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Sejko: Rritje ekonomike, ulen borxhet! Niveli i papunësisë nën normën historike

Është prezantuar sot raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë...

“Nuk e dinim që nuk lejohet”/ Skuterat elektrikë sërish rrugëve të qytetit, policia aksion për bllokimin e tyre

Pavarësisht vendimit për ndalimin e qarkullimit të monopatinave në...