19.5 C
Tirana

Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, opozita: Të mos mbetet investim pa rendiment ekonomik

Më datë:

Linja hekurudhore Durrës–Rrogozhinë do të rehabilitohet dhe elektrifikohet deri në vitin 2028, si pjesë e fazës së parë të Korridorit VIII, që lidh Italinë me Bullgarinë përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Detit të Zi.

Në Komisionin parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, nënvizoi se projekti ka një vlerë totale prej 120,5 milionë eurosh, ku 60,5 milionë janë grant nga Bashkimi Europian, ndërsa pjesa tjetër përfshihet në kredi nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me nga 30 milionë euro secila.

Sipas saj, investimi 34 kilometra i gjatë është një hallkë strategjike e Korridorit VIII dhe do të rrisë ndjeshëm aksesin rajonal të Shqipërisë.

Ajo theksoi se projekti është në përputhje të plotë me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Europian, dhe bën pjesë në Listën unike të projekteve me rëndësi kombëtare, të miratuar në shkurt 2025.

“Ky investim përfaqëson mbështetjen konkrete të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe vizionin për krijimin e një rrjeti hekurudhor të qëndrueshëm dhe konkurrues në rajon”, shtoi Muçaj.

Sipas saj, linja do të mundësojë udhëtime me shpejtësi deri në 120 km/orë dhe do të sigurojë ndërlidhje me projektet e tjera hekurudhore, si Vorë–Hani i Hotit dhe Rrogozhinë–Pogradec, duke forcuar lidhjet me Maqedoninë e Veriut e Bullgarinë.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, ish-ministër i Transporteve, e mbështeti projektin në emër të opozitës, por ngriti një sërë shqetësimesh për vonesat, mungesën e vizionit afatgjatë dhe rentabilitetin ekonomik të investimeve në sektorin hekurudhor.

“Është shumë mirë që po investohet në hekurudhë, por është edhe shumë vonë. Sektori është lënë pas dore prej vitesh, ndërsa objektivat strategjikë që duhej të ishin realizuar deri në vitin 2020 mbetën në letër. Korridori VIII ka rëndësi të jashtëzakonshme për transportin e mallrave dhe lidhjet ndërkufitare”, theksoi ai.

Ai kërkoi që projektet e infrastrukturës të mos shndërrohen në “njolla të shpërndara investimesh pa rendiment ekonomik”, por të jenë pjesë e një plani të integruar që ndihmon drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Çdo investim duhet të jetë i qëndrueshëm, të ketë ndikim real në ekonomi dhe të mos vonojë angazhimet tona europiane”, theksoi Haxhinasto.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Sejko: Rritje ekonomike, ulen borxhet! Niveli i papunësisë nën normën historike

Është prezantuar sot raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë...

“Nuk e dinim që nuk lejohet”/ Skuterat elektrikë sërish rrugëve të qytetit, policia aksion për bllokimin e tyre

Pavarësisht vendimit për ndalimin e qarkullimit të monopatinave në...