Gjermania po përballet me “një nga fazat më sfiduese” në historinë e saj të afërt mes trazirave globale, deklaroi sot kancelari Friedrich Merz, teksa mbrojti buxhetin e propozuar për vitin 2026 gjatë një debati në parlament.
Merz mori një vendim të diiskutueshëm që të qëndrojë në Berlin për t’u fokusuar në çështjet e brendshme këtë javë, ndërkohë që liderët botërorë janë mbledhur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork
Situata e tensionuar ndërkombëtare ishte një nga temat kyçe të fjalimit të tij para deputetëve në Bundestag, dhoma e ulët e parlamentit gjerman.
Merz argumentoi se “i gjithë komuniteti perëndimor i vlerave po përballet ndoshta me provën më të madhe”, mes konflikteve të vazhdueshme dhe mosmarrëveshjeve tregtare.
Kancelari theksoi se pasiguria ka pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë gjermane, e cila mbështetet në tregjet globale dhe në një rend botëror të bazuar në rregulla.
“Vetëm një ekonomi e orientuar drejt rritjes do të gjenerojë burimet që na duhen për të financuar infrastrukturën, për të ushtruar solidaritet dhe për të garantuar sigurinë sociale në afat të gjatë”, tha Merz, duke paralajmëruar se sindikatat dhe punëdhënësit janë thellësisht të shqetësuar për humbjen e vendeve të punës.
“Prandaj duhet të veprojmë, duhet ta bëjmë shpejt dhe duhet ta bëjmë tani”, shtoi ai.
Megjithatë, ai hodhi poshtë kritikat nga partitë opozitare se qeveria synon të shkurtojë sistemin e mirëqenies së vendit.
“Qëllimi i reformave që po nisim nuk është të shkatërrojmë shtetin social, por ta ruajmë atë ashtu siç na nevojitet realisht”, këmbënguli kancelari.