Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, ka bërë ankim në GJKKO refuzimin që SPAK-u i bëri atij rreth një muaj më parë për t’u takuar me avokatët e huaj që do përgatisin dosjen për në Gjykatën Evropianë të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Veliaj kërkon që të takohet pikërisht me avokatët Ben Brandon, Celia Marr, Daniel Fetterman dhe Joshua Roberts, në mënyrë që këta të fundit të përgatisin çështjen për ta kaluar para GJEDNJ.
Më 30 korrik 2025, SPAK-u refuzoi kërkesën e Veliajt që ai të takohej me avokatët e huaj, pasi ka një kufi ligjor prej dy mbrojtësish ligjor, pra Ermir Betën dhe Artur Selmanin. Po kështu, Prokuroria e Posaçme ka argumentuar se avokatët e huaj me të cilët dëshironte takim Veliaj, nuk janë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, çka dhe nuk mund të ushtrojnë profesionin në territoret e Republikës së Shqipërisë.
Bazuar në këto argumente të SPAK-ut, mbrojtësit e Veliajt shprehen në ankim se avokatët e huaj nuk kërkojnë takim me kryebashkiakun e Tiranës për ta përfaqësuar atë pranë gjykatave shqiptare.
Ndaj, Veliaj kërkon pranë GJKKO-së që:
-Të pranojë ankimin e tij si të ligjshëm dhe të bazuar në prova
-Shfuqizimin e vendimit të SPAK për refuzimin e kërkesës për takim
-Lejimi i takimit mes Veliajt me avokatët Ben Brandon, Celia Marr, Daniel Fetterman dhe Joshua Roberts, në cilësinë e avokatëve për çështjen para GJEDNJ.
Klikoni këtu për t’u njohur me dokumentin e ankimit të Erion Veliajt
Kujtojmë se Erion Veliaj është vënë në hetim nga SPAK disa muaj më parë dhe që prej 10 shkurtit, kur u arrestua, qëndron në paraburgimin e Durrësit.
Në korrik, atij dhe bashkëshortes Ajola Xoxa, i janë komunikuar akuzat, mes të cilave përfshirja në korrupsion dhe pastrimi i parave, ndërsa në shtator SPAK do t’u komunikojë atyre edhe përfundimin e hetimit. Vetë Veliaj dhe Xoxa i kanë mohuar akuzat në reagime të mëparshme për mediat dhe kryebashkiaku i ka konsideruar ato si sulm politik.