Kallas: Rusia s’ka shanse nëse NATO-ja qëndron e bashkuar

Më datë:

Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se Rusia “s’ka shanse” kundër NATO-s, por aleanca duhet “të qëndrojë e bashkuar” përballë një Moske armiqësore.

Duke folur para mbajtjes së samitit të NATO në Holandë, ku anëtarët e aleancës janë në presion nga Shtetet e Bashkuara për të rritur shpenzimet për mbrojtje, Kallas paralajmëroi se vetëm rritja e shpenzimeve për mbrojtje nuk mjafton për të frenuar Kremlinin.

“Sot, kundër NATO-s dhe BE-së, Rusia s’ka shanse. Por, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar”, tha Kallas para Parlamentit Evropian në Strasburg. “Kur udhëheqësit e NATO-s të takohen javën e ardhshme, mbajtja e unitetit në aleancë është prioritet më i madh sesa rritja e shpenzimeve për mbrojtje”, shtoi kryediplomatja evropiane.

Udhëheqësit e NATO-s po synojnë që të arrijnë pajtim për rritjen e buxheteve për ushtritë kur të takohen në Hagë javën e ardhshme.

Por, aleanca – ku nga 27 vendet anëtare, 23 prej tyre janë shtete të BE-së – po përballet me dilema sa i përket përkushtimit të SHBA-së ndaj mbrojtjes së Evropës.

Të martën, udhëheqësit e Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7) – ku bëjnë pjesë vendet e NATO-s sikurse Italia, SHBA-ja, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuara dhe Kanadaja – si dhe Japonia nuk arritën të dilnin me një qëndrim të përbashkët për të dënuar Rusinë për sulmet kundër Ukrainës. Trump u largua nga samiti – që u mbajt në Kanada – para se ai të përfundonte.

Presidenti amerikan, Donald Trump, po tenton që përmes negociatave t’i japë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, që nisi në shkurt të vitit 2022.

Kallas tha se forcimi ushtarak i Rusisë paraqet kërcënim për sigurinë e Evropës dhe të komunitetit transatlantik.

“Vitin e kaluar, Rusia shpenzojë më shumë në mbrojtje sesa të gjitha shtetet e BE-së së bashku. Këtë vit, Rusia po shpenzon më shumë në mbrojtje sesa në sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe politikave sociale së bashku”, tha ajo.

“Ky është një plan afatgjatë për një agresion afatgjatë. Ju nuk shpenzoni kaq shumë në ushtri nëse nuk planifikoni që ta përdorni ushtrinë”, shtoi Kallas.

BE-ja ka lansuar një nismë që synon mbledhjen e 800 miliardë eurove për të ndihmuar shtetet anëtare që të forcojnë mbrojtjen.

Një ditë më parë, Brukseli bëri publik planet për të rritur prodhimin e industrisë së mbrojtjes në Evropë.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Ndryshimet statutore në PD nuk do publikohen para shqyrtimit nga kryesia

Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht procesin për ndryshimet në...

Sali Berisha mbetet kandidati i vetëm për drejtimin e Partia Demokratike e Shqipërisë

Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj janë skualifikuar nga gara...

Ndahet nga jeta Shaban Zeneli, “Bilbili i Çamërisë”

Shabani Zeneli, artisti i muzikës popullore shqiptare, i njohur...

Ndërtoi pa leje në tarracën e pallatit, arrestohet 57-vjeçari në Tiranë

Policia e Tiranës vuri në pranga një 57-vjeçar i...