Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se muajt e pranverës dhe verës do të jenë të vështirë për Ukrainën, pasi ajo do të përballet me presion në fushëbetejë dhe gjithashtu diplomatikisht për t’i dhënë fund luftës.
Zelensky tha se partnerët e Ukrainës i kishin kërkuar Kievit të ulte sulmet ndaj sektorit të naftës së Rusisë, pasi çmimet globale u rritën për shkak të luftës në Iran dhe tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme. Megjithatë nuk i përmendi këta partnerë me emër.
Por ai tha se nëse Rusia dëshiron të ulë tensionet, duhet të ndalojë sulmet ndaj objekteve energjetike të Ukrainës dhe të pranojë rifillimin e bisedimeve paqësore trepalëshe, të ndërmjetësuara nga Uashingtoni.
Megjithatë, ai pranoi se SHBA-të aktualisht janë hezituese t’i dedikojnë më shumë kohë procesit të paqes në Ukrainë.
“Kjo periudhë pranverë–verë do të jetë mjaft e vështirë politikisht dhe diplomatikisht. Mund të ketë presion ndaj Ukrainës,” citohet të ketë thënë Zelensky këtë të premte nga Reuters. “Do të ketë gjithashtu presion në fushëbetejë.”
“Besoj se do të jetë shumë e vështirë për ne deri në shtator.”
Zelensky përsëriti thirrjet e tij për më shumë presion ndërkombëtar ndaj Rusisë. Me shpalljen e një armëpushimi dyjavor nga SHBA-të dhe Irani të martën, ai shprehu shpresën që sanksionet amerikane ndaj naftës ruse (të lehtësuara përkohësisht gjatë konfliktit) të rikthehen plotësisht.
Në mars, SHBA-të dhanë një leje 30-ditore për vendet që të blinin naftë dhe produkte të naftës ruse të sanksionuara, në përpjekje për të stabilizuar tregjet globale të energjisë të trazuara nga lufta në Iran.
“Partnerët” kërkojnë nga Ukraina të ulë sulmet ndaj naftës ruse
Në javët e fundit, Ukraina ka shtuar sulmet ndaj objekteve energjetike të Rusisë, duke synuar të ulin të ardhurat e saj nga nafta, pasi Moska po përfitonte nga çmimet e larta dhe lehtësimi i sanksioneve amerikane.
Ushtria ukrainase ka marrë përgjegjësinë për më shumë se një duzinë sulmesh ndaj objekteve të naftës ruse, me goditjet më të rëndësishme në portet baltike të Rusisë, Ust-Luga dhe Primorsk, pikat më të mëdha të eksportit të naftës së vendit.
“Tani rusët kanë probleme të mëdha me disa nga objektet e tyre. Pas çdo sulmi ndaj sektorit tonë energjetik, ne përgjigjemi dhe kjo është plotësisht e drejtë. Nëse rusët duan që kjo të ndalet, ata duhet të ndalojnë sulmet e tyre, dhe atëherë ne do të veprojmë në të njëjtën mënyrë.”
Zelensky tha se gjatë bllokimit të ngushticës së Hormuzit nga Irani, partnerët e Ukrainës i kishin kërkuar të ulte sulmet ndaj objekteve të naftës ruse, por ai u përgjigj se nafta ruse nuk ka ndikim të madh në tregun global.
Sipas tij, nëse Rusia dëshiron të ulë tensionet, bisedimet trepalëshe për t’i dhënë fund luftës diplomatikisht duhet të zhvillohen gjatë tre muajve të ardhshëm.
Tre raunde bisedimesh trepalëshe këtë vit nuk kanë sjellë përparim të rëndësishëm, me Ukrainën që refuzon të pranojë kërkesën e Rusisë që të dorëzojë zonat e mbetura të rajonit lindor të Donbasit që Moska nuk ka arritur t’i pushtojë.
Luftimet vazhdojnë përgjatë më shumë se 1 mijë e 200 km të vijës së frontit, dhe si Rusia ashtu edhe Ukraina po shtojnë sulmet me dron ndaj objektivave larg vijës së frontit.


