Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj më në fund do të mund të njihet me të gjitha aktet hetimore.
Veliajt i janë dërguar sot në 11 mars me furgon të gjitha materialet në burgun e Durrësit, me rreth 28 mijë faqe.
Kujtojmë se më datë 9 mars, trupa legjitimoi avokaten kryesisht Valentina Teodoresku, që të pandehurit Erion Veliaj t’i vihen në dispozicion të gjitha aktet hetimore. Gjykata, siç rezulton nga proces-verbalet paraprake, tha se i pandehuri Veliaj duhet të njihej me aktet e dosjes hetimore. Trupa gjykuese vlerësoi se duhet t’i vërë në dispozicion të pandehurit të gjithë fashikujt e hetimit.
Në seancën e fundit, nuk ishte i pranishëm kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, as bashkëshortja e tij Ajola Xoxa. Gjykata konstatoi se i pandehuri Erjon Veliaj, me shkresë nga burgjet është njoftuar për datën e sancës. Por, Veliaj ka depozituar një deklaratë, ku theksonte se nuk do të paraqitej në seancën gjyqësore, pasi nuk ka seancë paraprake.
Çështja u dërgua për gjykim nga Gjykata e Posaçme më 9 shkurt, pas hetimeve të kryera nga SPAK. Veliaj ndodhet në arrest me burg që nga 10 shkurt 2025. Sipas SPAK, procesi u vonua disa muaj për shkak të kërkesës formale që vetëm pesë muaj më parë u dorëzua për kalimin e dosjes në gjykim.
Prokuroria ka ngritur 13 akuza ndaj Erion Veliajt, duke përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg. Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme në 9 raste, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për fshehje të të ardhurave, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.
Personat e tjerë të akuzuar përfshijnë biznesmenë të ndryshëm, të cilët sipas prokurorisë kanë kryer korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë, si dhe fshehje dhe pastrim të të ardhurave të paligjshme.


