Pas arritjes së marrëveshjes PS-PD të marrë dy ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë ka publikuar këtë të premte, më 24 tetor, projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, një strukturë e përbashkët pozitë-opozitë që do të ketë në fokus hartimin e ndryshimeve ligjore për përmirësimin e procesit zgjedhor në vend.
Sipas vendimit të miratuar, Komisioni do të përbëhet nga 16 anëtarë, prej të cilëve 7 do të jenë përfaqësues të Partisë Socialiste, 7 nga Partia Demokratike, ndërsa 2 anëtarë të tjerë do të vijnë nga partitë që kanë fituar të paktën dy mandate në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 majit 2025.
Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga mazhoranca dhe një nga opozita, me synimin për të garantuar balancë politike dhe vendimmarrje të bazuar në konsensus.
Qëllimi i komisionit
-Komisioni i ri do të ketë si objektiv kryesor:
-Hartimin e ndryshimeve ligjore për reformën zgjedhore;
-Trajtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të vitit 2023 dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2025;
-Përfshirjen e sugjerimeve nga institucionet përgjegjëse për zgjedhjet, partitë politike dhe organizatat jofitimprurëse;
-Hartimin e një ligji të ri për financimin e partive politike.
Në punimet e Komisionit do të marrin pjesë dhe do të ofrojnë asistencë teknike OSBE/ODIHR, Këshilli i Europës, Komisioni i Venecias, si dhe përfaqësues të BE-së dhe SHBA-ve. Pranë Komisionit do të ngrihet gjithashtu një grup ekspertësh teknikë, që do të mbështesë procesin me analiza dhe propozime ligjore.
Në vendimin e Kuvendit theksohet se vendimmarrja e Komisionit do të synojë konsensusin e gjerë politik.
“Çdo parti që përfaqësohet në komision ka të drejtë të propozojë amendamente për diskutim dhe miratim. Palët duhet të angazhohen të gjejnë konsensusin në lidhje me to. Për çështje të veçanta për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus do të vlerësohet dhe kërkohet asistenca e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.”, thuhet në vendim.
Afati i punës
Komisioni do të ushtrojë veprimtarinë për 9 muaj nga momenti i miratimit të vendimit, me mundësi zgjatjeje nëse kërkohet nga të dy bashkëkryetarët dhe miratohet nga Kuvendi.
Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm në përgatitjen e reformës zgjedhore, një proces i cili pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe forcimin e besimit të qytetarëve në proceset demokratike.


