Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të vizitojë sot, 15 tetor, Kosovën.
Siç ka njoftuar Zyra e saj, fillimisht do të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani e më pas me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Sipas njoftimit zyrtar, takimet pritet të nisin në orën 13:00.
Vizita e Von der Leyen është në kuadër të turit ballkanik, të cilin e nisi me Tiranën, më 13 tetor.
Gjatë vizitës në Shqipëri, Presidentja e KE-së, lavdëroi vendin tonë për rrugëtimin e bërë drejt Bashkimit Evropian, sidomos 3 vitet e fundit. Bashkë me kryeministrin Edi Rama, u shpreh besimplotë, se brenda 2027-ës do të mbyllen të gjithë grup-kapitujt e negociatave. Në kuadër të Planit të Rritjes, theksoi se Shqipëria do marrë afro 1 mld euro.
Presidentja e Komisionit Europian ishte edhe në Mal të Zi e Bosnje-Hercegovinë, ku deklaroi se janë bërë hapa pozitivë.
Zyrtarja evropiane tha se duhet të përshpejtohen reformat në fushën e sundimit të ligjit, të ketë transparencë në prokurimet publike dhe në këtë mënyrë të dërgohet një sinjal se Mali i Zi është një vend i besueshëm për zhvillimin e biznesit.
Ndërkohë, ajo zhvilloi takim edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në Beograd
Kujtojmë se herën e fundit që Von der Leyen ishte në Kosovë, në tetor 2024, foli për masat ndëshkuese që kishte vendosur. Që atëherë, blloku ka njoftuar se ka nisur heqjen e disa masave, që u vendosën më 2023-in për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Gjatë asaj vizite, shefja e KE-së lavdëroi Kosovën për punën që kishte bërë në agjendën e reformave për Planin e Rritjes të BE-së. Megjithatë, Kosova nuk ka përfituar nga ky Plan, pasi për shkak të mungesës së krijimit të institucioneve dhe deri më tani nuk janë miratuar marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.