Ish-presidenti peruan Alberto Fujimori, i cili u dënua për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, vdiq në moshën 86-vjeçare, tha vajza e tij, Keiko.
”Pas një beteje të gjatë me kancerin, babai ynë, Alberto Fujimori, ka shkuar për të takuar Zotin”, tha Keiko Fujimori në një postim në platformën e medias sociale X, të nënshkruar edhe nga vëllezërit e motrat e saj Hiro, Sachie dhe Kenji Fujimori.
Djali i emigrantëve japonezë, Fujimori shërbeu si president i Perusë nga viti 1990 deri në vitin 2000.
Gjatë mandatit të tij ai bëri që forcat e sigurisë të godasin me rigorozitet forcat e krahut të majtë dhe forcat gjoja subversive dhe parlamenti u shpërbë.
Në atë kohë, shteti ndihej i kërcënuar nga organizata terroriste maoiste ”Rruga e shndritshme”.
Përveç kësaj, dhjetëra mijëra gra indigjene u sterilizuan me forcë për të zvogëluar numrin e fëmijëve të tyre.
Ato shiheshin si pengesë për zhvillimin.
Fujimori u shpall fajtor në vitin 2009 për përgjegjësi të përbashkët për 25 vrasje dhe dy rrëmbime gjatë sundimit të tij.
Ai është shpallur fajtor edhe për disa raste korrupsioni.
Ai u dënua me 25 vjet burg.
Në vitin 2017, presidenti i atëhershëm Pedro Pablo Kuczynski fali ish-kreun e shtetit për arsye humanitare për shkak të shëndetit të tij të dobët.
Ai u lirua përfundimisht nga burgu ”Barbadillo”, pranë kryeqytetit Lima, në 2023 pas një kohe të gjatë në gjykata.


