Vasili: Vlora e Pavarësisë kurrë nuk mund të votojë listën e “Astirit” dhe hajdutët e votave e koncensioneve

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili tha sot nga vlora se Shqipëria ka nevojë për një përmbysje të madhe për të dalë nga bataku i mafiozëve.

I pyetur mbi largimet nga LSI-ja në PS, Vasili tha i bindur që “Vlora tashmë e ka marrë vendimin, ka marrë një vendim pa kthim. Dhe ky vendim pa kthim ka vetëm një emër: listën e jashtëzakonshme të LSI-së. Nuk ka mundësi që Vlora e lirisë dhe dinjitetit të votojë listën e Astirit, të Afrim Qendros, që do zaptonte Vlorën”.

Prononcim nga Vlora për mediat i nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili

Jam sot veçanërisht i emocionuar, sepse së bashku me disa kandidatë për deputetë të listës së LSI-së në Vlorë, isha sot këtu për të nderuar kujtimin e gjyshit tim, dëshmor i atdheut, dëshmor i Vlorës, Rasim Hamzaraj. Pata kënaqësinë që të vija një tufë me lule, por njëkohësisht do të doja që i gjithë ky ambient, ku prehen ata njerëz që kanë sakrifikuar çdo gjë, pa kërkuar asgjë, të ishte ndryshe, të mirëmbahej të mos kursehej asgjë, sepse është nderi dhe patjetër edhe lavdia e këtij qyteti, e kësaj zone që ka qenë gjithmonë në ballë të historisë për të bërë ndryshime të mëdha. Edhe sot jemi në një moment të tillë.

Është bërë një tjetër takim, me rrjedhje të LSI-së në qytetin e Vlorës. Cili është mendimi juaj?

Situata e LSI-së në Vlorë është absolutisht e shkëlqyer. Jam pjesë e mbështetjes absolute për Vlorën, jo thjesht dhe vetëm si drejtues i LSI-së, por si vlonjat dhe rrënjët e mia janë shumë të forta familjare, nga nëna dhe nga babai im i ndjerë. Dhe është një situatë e shkëlqyer. Sepse Vlora tashmë e ka marrë vendimin, ka marrë një vendim pa kthim. Dhe ky vendim pa kthim ka vetëm një emër: listën e jashtëzakonshme të LSI-së. Nuk ka mundësi që Vlora e lirisë dhe dinjitetit të votojë listën e Astirit, të Afrim Qendros, që do zaptonte Vlorën. As listën e Damian Gjiknurit, hajdutit ordiner të votave dhe koncesioneve. Kurrën e kurrës nuk ka bërë Vlora kompromis në këtë drejtim. Ju e dini më së miri që Vlora është vendi i elitarizmit politik. Nuk është vend ku mbeturinat e politikës të shkarkohen këtu. nuk mund të shkarkohen mbeturinat e politikës të pa riciklueshme gjëkundi, të kusarëve të Astirit, të koncesioneve, të votave të Dibrës, Gjiknurët, Afrim Qendrot dhe Edi Ramat me shokë në Vlorën e shenjtërisë politike, të patriotizmit, të lirisë dhe dinjitetit. Si do të votojnë? Do të votojnë listën e Astirit apo disa nga këta kandidatë të shkëlqyer që unë kam përkrah dhe jam i nderuar që t’i kem. Do të votojnë patjetër dhe e ka vendosur Vlora, do votojë Grisejdën, pedagogen, vajzën e shkëlqyer të Vlorës. Do votojnë pa asnjë diskutim Dikensin, një njeri patriot.Do të votojnë patjetër Anxhelën, vajzën e Gjormit dhe të Vlorës. Jam i lumtur për Lirinë që kam në krahë, kandidaten e shkëlqyer, gruan e jashtëzakonshme. Kemi pra dy realitete që nuk kanë asgjë të përbashkët me njëri tjetrin. Dinjitet për këta burra e gra, të rinj që janë përqark meje dhe mbeturina politike në krahun tjetër. Kështu që këtë situatë nuk e manipulon e nuk e kthen dot asgjë, humbjen më të hidhur dhe më të dhimbshme, Rilindja dhe Edi Rama do e ketë nga Vlora. Këtë ta fiksoni mirë. Nuk ka kthim. Në çdo moment kur është kërkuar përmbysje e madhe Vlora e ka bërë sepse ka votuar në emër të lirisë dhe dinjitetit të saj dhe nuk ka votuar asnjë lloj sharlatani politik ngado që ai është shfaqur dhe ngado që ka ardhur.

Duke ju referuar listave të LSI vihet re që mosha e kandidatëve është fare e re. A besoni se ndryshimi vjen nga rinia dhe Vlora duhet ti besojë rinisë?
Absolutisht po. Ju këtu ku jemi, keni këta të rinj që në themelin e tyre qëndron lavdia e Vlorës. Ka pasur gjithë ata të rinj që në momentet më të rëndësishme të historisë kanë dhënë përgjigjen dhe e kanë kthyer në rrugën e duhur. Vlorën e kanë prirë të rinjtë dhe Vlora ka qenë gjithmonë e freskët gjithmonë patriotike sepse ka pasur të rinj të cilët janë të pastër si qelibari dhe nuk janë të pisët si ata që rrugën e Astirit e bënë centimetrin e rrugës më të shtrenjtë se centimetri i floririt. Këta batakçinj nuk ka mundësi ti votojë jo Vlora por askund në Shqipëri dhe këtë njollë turpi Vlora nuk e pranuar dhe nuk e pranon kurrë. Por do ja japë ndëshkimin shumë të fortë e të tmerrshëm në 25 prill sa ju do të çuditeni në rezultatin që do të shikoni.
Ka vetëm një situatë në këtë mes meqë po më pyesni. Është ligji dhe Kushtetuta në njërën anë dhe antiligji dhe mafia në anën tjetër. Presidenti përfaqëson ligjin dhe Kushtetutën, Edi Rama përfaqëson antiligjin dhe mafien shtetërore që po jep shpirt.

Pse kaq shumë interes për Vlorën?
Vlora e meriton interesin sepse Vlora është Vlorë. Dhe në çdo moment të historisë e ka drejtuar vendin në atë drejtim ku ka qenë më e mira për të dhe asnjëherë në drejtimin e gabuar.
Në këtë moment përmbysja e madhe fillon dhe Vlorë dhe është e domosdoshme të fillojë këtu për një arsye shumë të thjeshtë. Shqipëria ka nevojë për një përmbysje të madhe për të dalë nga bataku i mafiozëve i këtyre që kanë shkarkuar dhe në Vlorë siç e shikoni,këtyre mbeturinave që nuk kanë ku të venë. Nuk mund të jetë fati i shqiptarëve peng i duarve të hajdutëve, tradhtarëve të kombit,të provuar si tradhtarë, pra tradhtarë dhe gënjeshtarë Vlora nuk ka pranuar kurrë në historinë e saj.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi