Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në KE, Olivér Várhelyi deklaroi sot zgjerimi është mes tri përparësive kryesore dhe se pa zgjerimin, Europa nuk mund të bëhet më e fortë.
Nga Luksemburgu, ku po mbahet sot Konferenca e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e cila çel grup-kapitullin “Themeloret” në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, komisioneri tha se sot nis puna për të negociuar kushtet në të cilat Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së.
“Po kremtoni një vendim mjaft të rëndësishëm sot. Kjo nënkupton se është çelur rruga për bisedimet thelbësore, çka nënkupton që tashmë do të negociojmë kushtet në të cilat Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së. Kjo është ajo që po ndodh sot”, u shpreh komisioneri.
Ai vuri në dukje dhe vlerësoi si hap pozitiv faktin që presidenca hungareze ka nisur punën, duke e vendosur zgjerimin jo vetëm si përparësi politike, por duke i shtuar përpjekje të jashtëzakonshme për të nxitur e shtyrë përpara procesin institucional, për të ecur para drejt përmbylljes së bisedimeve të anëtarësimit.
“E padiskutueshme për BE dhe udhëheqësit e saj që zgjerimi është mes tri përparësive kryesore. Pa zgjerimin, Europa nuk mund të bëhet më e fortë. Na duhet zgjerimi që BE-ja të bëhet më e fortë, krahasuar me pikën nga e nisëm në 2019-ën. Kemi për të bërë një rrugë të gjatë përpara”, deklaroi komisioneri.


