Faruk Fatih Özer, i njohur si “mbreti” i kriptomonedhave dhe themelues i platformës tashmë të falimentuar “Thodex”, është gjetur i vdekur në qelinë e tij në burgun e Tekirdagut, në perëndim të Turqisë.
Lajmi është konfirmuar nga transmetuesi shtetëror TRT, i cili bën me dije se është hapur një hetim zyrtar për të zbuluar shkaqet e vdekjes. Sipas burimeve të para, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që Özer të ketë kryer vetëvrasje, ndërsa autopsia pritet të sqarojë rrethanat e plota të ngjarjes, raporton Bloomberg.
Faruk Fatih Özer ishte arrestuar më 30 gusht 2022 në Shqipëri, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet turke. Ai u ekstradua në Turqi në prill të vitit 2023.
Në shtator të vitit 2023, themeluesi i Thodex u dënua me 11.196 vite burg për akuzat e pastrimit të parave, mashtrimit dhe krijimit të një organizate kriminale. Prokuroria kishte kërkuar një dënim rekord prej 40.562 vitesh burg.
Özer konsiderohej si organizatori i një prej skandaleve më të mëdha financiare në historinë e Turqisë, pasi mijëra investitorë humbën kursimet e tyre pas kolapsit të bursës së kriptomonedhave “Thodex”. Ai akuzohej për mashtrimin e 391 mijë qytetarëve, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 2 miliardë dollarësh.


