Burimet diplomatike njoftojnë se Turqia dhe Katari po përpunojnë detaje të një marrëveshjeje të përfolur prej kohësh për të operuar aeroportin në kryeqytetin afgan, Kabul, raporton Anadolu Agency (AA).
Burimet dje fillimisht njoftuan se pas bisedimeve gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu në Katar më 7 dhjetor, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi midis kompanive nga Turqia dhe Katari për të operuar aeroportin si një partneritet i barabartë. Burimet diplomatike kërkuan të mbesin anonime për shkak të kufizimeve për t’u prononcuar për mediat.
“Doha dhe Ankaraja kanë rënë dakord të operojnë bashkërisht Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit”, së bashku me katër aeroporte të tjera në Afganistan, tani nën administrimin e përkohshëm taleban, shtuan burimet sot në kushte anonimiteti.
Duke i përshkruar bisedimet midis palëve si “produktive dhe efektive”, burimet thanë se “do të formohen ekipe të përbashkëta teknike për të negociuar detajet e operacioneve”, të cilat pritet të përfundojnë në ditët në vijim.
“Gjatë javës së ardhshme do të ketë takime teknike të delegacionit midis dy vendeve nga njëra anë dhe administratës (së përkohshme) afgane nga ana tjetër në lidhje me detajet operacionale”, thanë burimet.
Ata shtuan se delegacioni i përbërë nga përfaqësues të Turqisë dhe Katarit sonte do të udhëtojë nga Kabuli në Doha, ku do të vazhdojnë bisedimet.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga zyrtarët turq apo nga Katari për këtë çështje.
Fluturimet u pezulluan në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Afganistanit në Kabul pasi talebanët morën pushtetin në gusht dhe trupat amerikane shkatërruan pajisjet, duke përfshirë sistemin e radar në objekt, përpara se të largoheshin nga vendi.


