Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha dje se ushtria amerikane kishte vrarë tre persona gjatë një sulmi ndaj një anijeje në jug të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – që dyshohej se transportonte drogë.
“Shërbimet sekrete konfirmuan se anija po trafikonte lëndë narkotike të paligjshme dhe po kalonte përgjatë një kalimi të njohur për trafik narkotikësh për të helmuar amerikanët”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”, duke postuar një video që tregonte sulmin.
Fillimisht, ishte e paqartë nëse ky ishte një sulm i ri apo detaje shtesë nga një sulm i mëparshëm – që Trump kishte raportuar disa ditë më parë.
“Nuk kemi asgjë më tepër për të shtuar përtej postimit të presidentit Trump”, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes kur u pyet për sulmin.
Presidenti i SHBA-së tha se anija ishte e lidhur me një “Organizatë të Caktuar Terroriste” që kryente trafik narkotikësh në zonën e përgjegjësisë së USSOUTHCOM”, pa përmendur një grup specifik.
Këtë muaj, SHBA-ja sulmoi dhe shkatërroi anije në Karaibe. Njëmbëdhjetë persona u vranë në sulmin e parë dhe tre në të dytin. Trump gjithashtu i raportoi këto sulme në “Truth Social”.
Të martën, Trump u tha gazetarëve se SHBA-ja kishte shkatërruar gjithsej tre anije.
Ndërsa më herët ai kishte përmendur Venezuelën në lidhje me sulmet e mëparshme, këtë herë ai nuk përmendi asnjë vend.
Sulmet e fundit kanë përshkallëzuar më tej tensionet midis Uashingtonit dhe Karakasit.
Disa ekspertë të të drejtave të njeriut të OKB-së i dënuan sulmet vdekjeprurëse duke i quajtur një shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe detar.
Sipas raporteve të medias, SHBA-ja dislokoi disa anije luftarake në brigjet e Karaibeve të Venezuelës – për të kapur kontrabandistët e drogës.
Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, e përshkroi praninë ushtarake amerikane në Karaibe si “kërcënimin më të madh” gjatë një shekulli.