Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në prezantimin e pesë projekteve të përzgjedhura në konkursin për zhvillimin e “Tirana Fountain Tower”.
Në fjalën e tij, Rama u ndal te rëndësia e projekteve arkitekturore me impakt të veçantë në qytet, duke theksuar se për zhvillime të tilla tashmë u besohet profesionistëve me eksperiencë në planifikim urban, arkitekturë dhe ndërtim.
“Sot rikthehemi të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë kur vjen puna te zhvillimi i projekteve me rëndësi të veçantë që në Shqipëri ua besojmë profesionistëve me profile dhe me karriera të veçanta në fushën e planifikimit, të projektimit arkitektonik dhe të ndërtimit të objekteve që kanë një impakt me rëndësi për qytetet tona, për zona të caktuara ku lidhen bashkë zhvillimi individual i një prone me zhvillimin më tërësor të komunitetit apo vendit.
Jemi këtu për të riadresuar zhvillimin e një prone ku, siç e patë, u ngrit një park dhe më pas po aty u ngrit një ndërtesë që ishte nga të paktat ndërtesa në kohën e komunizmit ku njerëzit mund të takoheshin jo për mbledhje, jo për punë, në shërbim të ndërtimit të komunizmit, por për të kaluar kohën e lirë.
E mbaj mend mirë të gjithë, në atë kohë në Shqipëri koha e lirë kalohej në këmbë dhe pikat e shërbimeve për të ngrënë apo për të pirë diçka bashkë, qoftë dhe 1 kafe, quheshin vetëshërbime dhe rrihej në këmbë.
Se ndenjja ulur me miqtë ishte një kërcënim për stabilitetin e regjimit, pasi duke qëndruar ulur njerëzit mund të merrnin rrugë qorre në arsyetimin e tyre.
Te Parku Rinia u ngrit një strukturë e pakët për t’u ulur, e cila për nga forma iu dha njerëzve që ta pagëzonin si Tajvani, sepse u dukej si arkitekturë kineze, por duke qenë se nuk e kishin Kinën fort për zemër, ia vunë emrin Tajvani.
Më pas struktura u ritransformua sepse erdhi koha që ndenjja ulur me shoqërinë u bë pjesë e jetës së përditshme dhe Tajvani kishte kaluar proceset e privatizimeve, u kthye në një ngrehinë për shërbime dhe ku natyrisht objektivi kryesor është t’i mbajnë njerëzit sa më shumë ulur e mundësisht t’i lënë pa punë.
Sot jemi këtu për një zhvillim tjetër të asaj godine që ka nevojë të transformohet për të plotësuar nevojat e një qyteti që nuk është më ai që ishte në vitet ’50, kur u krijua Parku Rinia, as në fund të viteve ’70, kur u ndërtua Tajvani, as në vitet e para 2000, kur Tajvani rimori një tjetër volum, por jemi në një kohë kur nevojat dhe ambiciet janë shumë më të mëdha.
Është një projekt i sipërmarrjes private në një pronë private, është një projekt që për arsye se zhvillohet në zemër të parkut, brenda perimetrit të pronës private, aty ku aktualisht jemi në kushtet që duhet rindërtuar, por nga ana tjetër ndërtimi do të ketë një impakt të rëndësishëm në gjithë hapësirën përreth. Po zhvillojmë një konkurs ndërkombëtar duke i bërë, radhë së parë, një mundësi zgjedhjeje që të gjejë vendimin cila do të jetë mënyra si do të rikoncepetohet dhe rindërtohet Tajvani”, tha ndër të tjera Rama.
Ndërkohë, pesë projektet e propozuara janë:
Barozzi Veiga, Spanjë
BIG – Bjarke Ingels Group, Danimarkë
Cobe – Danimarkë
l’AUC – Francë
JDSA – Julien De Smedt Architects, Francë


