Grupi tha se shifra përfshin të paktën 502 njerëz në Moskë dhe 524 njerëz në Shën Petersburg.

Protesta janë organizuar në Moskë, Shën Petersburg dhe në 30 qytete të tjera ruse, pasi Putini bëri njoftimin për mobilizimin më 21 shtator, tha organizata OVD-Info.

Në Moskë, protestuan edhe shumë gra të cilat brohoritën “Jetë për fëmijët tanë”, dhe “Jo luftës”. Sipas videove të postuara në rrjetet sociale, qindra persona protestuan në Moskë, teksa protestuesit formuan zinxhir njerëzor, duke u kapur për dore me njëri-tjetrin.

Protestuesit po ashtu mbajtën pankarta me ngjyrë të kaltër dhe të verdhë, që janë ngjyrat e flamurit ukrainas dhe brohoritën “Kundër mobilizimit” dhe “Rusia pa Putinin”.

Autoritetet paralajmëruan qytetarët se mund të përballen deri me 15 vjet burgim për pjesëmarrje në këto protesta.

Në Shën Petersburg, kundërshtarët e urdhrit për mobilizim – përfshirë edhe shumë gra – u mblodhën para një katedraleje, ku u rrethuan nga policia. Ka pasur raportime se Policia ka rrahur protestuesit me shkopinj gome.

Putin, gjatë një adresimi drejtuar kombit, tha se mobilizimi do të nisë menjëherë. Ky njoftim vjen pasi pushtimi rus i Ukrainës është në muajin e shtatë dhe Kievi së fundmi, përmes një kundërofensive, ka arritur të rimarrë disa pjesë të territorit të okupuar nga forcat e Moskës.
Presidenti rus tha se mobilizimi do të përfshijë vetëm qytetarët që aktualisht janë pjesë e forcave rezervë të ushtrisë dhe që kanë përvojë ushtarake.

Ai tha se synon që ta “çlirojë” rajonin lindor ukrainas të Donbasit, duke pretenduar, pa ofruar asnjë dëshmi, se shumica e banorëve të këtij rajoni nuk duan të jetojnë nën Ukrainë.

Njoftimi për mobilizim të pjesshëm u bë një ditë pasi katër rajone ukrainase të pushtuara nga Rusia njoftuan për plane për mbajtjen e të ashtuquajturave referendume për t’iu bashkuar Rusisë. Planet për mbajtjen e këtyre votimeve janë dënuar nga Kievi dhe komuniteti ndërkombëtar.