Tensione SHBA–NATO / Trump sulmon aleatët dhe paralajmëron masa ndëshkuese

Më datë:

Menjëherë pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër në rrjetin e tij social Truth Social, duke shprehur irritim të fortë ndaj aleancës.

Takimi, që zgjati pothuajse dy orë, u mbyll për shkak të angazhimeve të Trump në një darkë zyrtare. Pak më pas, ai publikoi një mesazh me tone të forta, “NATO nuk ka qenë e pranishme kur SHBA kishte nevojë dhe nuk do të jetë as në të ardhmen”, duke përmendur edhe çështjen e Groenlandës si shembull të pakënaqësive të tij.

Një ditë më vonë, Trump përsëriti kritikat, duke akuzuar aleatët, përfshirë edhe vetë NATO-n, për mungesë kuptimi dhe duke theksuar se presioni është e vetmja mënyrë për të arritur rezultate. Sipas tij, kjo qasje ka qenë gjithmonë pjesë e strategjisë së tij në negociata ndërkombëtare.

Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, në Shtëpinë e Bardhë po diskutohen plane për zhvendosjen e trupave amerikane nga vendet e NATO-s që konsiderohen më pak bashkëpunuese në çështjen e Iranit, drejt vendeve më të gatshme për të mbështetur SHBA. Aktualisht, rreth 80 mijë trupa amerikane janë të vendosura në Evropë, një pjesë e madhe e tyre në Gjermani.

Pas deklaratave të Trump, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u përpoq të ulë tensionet, duke theksuar se aleatët po japin mbështetje të konsiderueshme për SHBA-të, si në aspektin logjistik ashtu edhe në masa të tjera për të përballuar kërcënimet globale, përfshirë Iranin. Ai shtoi se vendet evropiane po marrin një rol më të madh në mbrojtjen e tyre, duke e cilësuar këtë si një hap drejt një partneriteti më të balancuar transatlantik.

Megjithatë, pavarësisht retorikës së ashpër, Trump nuk mundet të tërheqë në mënyrë të njëanshme SHBA-të nga NATO pa miratimin e Senatit amerikan. Por ai ka mjete të tjera në dispozicion, si zhvendosja e trupave, vendosja e tarifave tregtare apo edhe dobësimi praktik i aleancës.

Një nga skenarët më të diskutuar është që SHBA-të të mos respektojnë detyrimin për mbrojtje kolektive sipas Nenit 5 të NATO-s, çka do të minonte thelbin e vetë aleancës.

Trump ka deklaruar vazhdimisht ndër vite se e sheh NATO-n si një marrëveshje ku vendet anëtare duhet të paguajnë për mbrojtjen që u ofron SHBA, si në aspektin financiar ashtu edhe në mbështetje politike.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Rama dhe Ibrahimaj takim me pensionistët në kryeqytet

Në kuadër të bashkëbisedimeve për “Punët e Shqipërisë”, kryeministri...

Peleshi thërret Këshillin, PD ngre shqetësime për procedurën ndaj Ballukut

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar pas njoftimit...

Ministri Malaj takim me biznese të turizmit në Berat, në fokus deklarimi real i pagave

Ministri i Financave Petrit Malaj, i shoqëruar dhe nga...

Kosovë/ Haradinaj: Kurti nuk ka interes që të zgjedhë Presidentin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj...