Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka urdhëruar mëngjesin e kësaj të mërkure, më 10 dhjetor, një operacion të gjerë në Nikël, Fushë-Krujë, kundër grupit kriminal të njohur si “Rraja”.
Operacioni është duke vijuar dhe përfshin kontrolle në banesa të ndryshme nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe vjen pas hetimeve të gjata duke synuar goditjen e një prej grupeve më të njohura kriminale në zonën e Fushë-Krujës.
Raportohet se autoritetet kanë lëshuar urdhër-arreste për disa persona, përfshirë Rexhep Rrajën, djalin e një ish-deputeti socialist, Rrahman Rraja i cili është vënë në pranga.
Konkretisht janë lëshuar 14 urdhër-arreste, prej të cilëve janë ekzekutuar 7 prej tyre.
Të arrestuarit:
1-M.B
2-A.N alias L.S
3-S.Q
4-G.Rr
5-P.Rr
6-R.Rr
7-Z.Rr
Në burg u është komunikuar masa 3 personave
1-I.A
2-A.Gj
3-J.Ç
Në kërkim janë 4 persona
E.Sh; B.S(X); H.S(X,L); V.B
Raportohet se ky operacion po drejtohet nga prokurori Adnan Xholi me synimin për të goditur grupin e strukturuar të trafikut të lëndëve narkotike, që u “tradhtua” nga bisedat që kishin bërë në aplikacionin e inkriptuar të bisedave “SkyECC“, pas zbërthimit të tij.
Grupi “Rraja” ka qenë në fokus të institucioneve prej vitesh, për dyshime lidhur me aktivitete të ndryshme kriminale. Sipas burimeve, personat e përfshirë dyshohet të jenë të përfshirë në trafik droge dhe operacioni i sotëm synon goditjen e të gjitha hallkave të aktivitetit të tyre kriminal. Kontrolli i banesave dhe procedurat e tjera janë ende në zhvillim. Më vonë gjatë ditës SPAK pritet të bëjë me dije më shumë detaje lidhur me këtë operacion.
Emri i Rexhep Rrajës u bë i ditur në vitin 2018, pasi u akuzua për dhunë barbare ndaj të dashurës së tij të asaj kohe, Xh.S. Më vonë po ashtu fisi Rraja u përmend në rastin e dhunimit të dy kushërinjve Maja, në korrik të vitit 2023, pas verifikimeve që policia dhe prokuroria bënë pas videos së bërë publike në atë kohë. Po ashtu edhe për atentatin ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja, dhe Aleksandër Lahos (të njohur si Rrumi i Shijakut), ngjarje e vitit 2019 ku humbi jetën shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku.


