Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpallur këtë të hënë, më 3 nëntor, pretencën për ish-deputetin socialist, Jurgis Cyrbja.
Raportohet se në seancën e sotme, SPAK ka kërkuar që ish-deputeti socialist të dënohet me 3 vite burgim për korrupsion në zgjedhjet e vitit 2021 dhe po ashtu për përkrahje të autorit të krimit. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar atij i ulet 1/3 e dënimit, dhe përfundimisht SPAK kërkon dënimin e tij me 2 vite burgim.
Ndërkohë, përsa i përket të dyshuarve të tjerë, për A.H-në, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje dhe tregim sekreti shtetëror, SPAK ka kërkuar 3 vite burg, që për shkak të dënimit të shkurtuar, shkon po ashtu në 2 vite dënimi.
Ndërkohë, për A.M-në, i akuzuar për tregim të sekretit shtetëror dhe përkrahje të autorit të krimit, SPAK ka kërkuar 2 vite e 6 muaj, që ulet në 1 vit e 8 muaj burg, gjithashtu për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Sjellim ndërmend se hetimi për ish-deputetin nisi pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin Sky ECC ku u gjetën biseda të tij me A.H-në, që ishte një person në kërkim. SPAK thotë se Çyrbja ka marrë mbështetje elektorale nga A.H, një person me precedent penal dhe lidhje shoqërore me të, për t’u zgjedhur deputet.
Në këmbim të kësaj mbështetjeje, ai i ka premtuar Hajrit ndikim në polici dhe prokurori. Komunikimet, sipas hetuesve, kanë treguar se në 8 raste ata kanë siguruar nga punonjës të policisë informacione në sistemin TIMS dhe të dhëna për operacione policore.
Për herë të parë në këtë dosje u përdorën edhe komunikimet e zbardhura në një tjetër aplikacion të koduar, Matrix.


