Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka paraqitur sot, 16 dhjetor, kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në njoftimin zyrtar, theksohet se kërkesa konsiston në dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së ministres së Energjisë e Infrastrukturës, njëherësh deputete dhe numri dy i qeverisë.
Ashtu si më herët, SPAK argumenton se Balluku është e pandehur për “shkelje të barazisë në tendera”, në kuadër të hetimeve për Tunelin e Llogarasë.
Përveç kësaj, shton, se ajo është nën hetim për shtatë procedura të tjera prokurimi.
Njoftimi i plotë i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit:
Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë.
Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale:
“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor.
Pas kërkesës në Kuvend është vendosur që Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit ta shqyrtojë atë më 19 dhjetor. Sipas rregullave, Balluku ka të drejtë të japë shpjegime, të përfaqësohet nga avokati dhe të ushtrojë të plotë të drejtën e mbrojtjes gjatë mbledhjes.
Këshilli shqyrton kërkesën dhe brenda dy javësh harton raportin, ku rekomandon miratimin ose rrëzimin e saj. Raporti u shpërndahet deputetëve. Më pas, kërkesa futet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën plenare.
Fjalën, po sipas Rregullores së Kuvendit, e merr deputetja për të cilën është bërë kërkesa, pa u hapur diskutimi mbi raportin. Vendimi merret me votim të hapur. Nëse Kuvendi nuk shprehet brenda 3 muajve, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion konsiderohet e rrëzuar.


