Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim dy të pandehur për korrupsion aktiv në zgjedhje në qarkun e Kukësit.
Konkretisht SPAK dërgoi për gjykim: Kalosh Peposhin, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, i hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”; Gazmend Peposhin, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, i hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”, në mungesë.
SPAK njoftoi se “procedimi penal është regjistruar mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në ngarkim të shtetasve te mësipërm të dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025”.
“Nga aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale të hetimit (përgjime të komunikimeve telefonike, vëzhgime dhe veprime të tjera hetimore), ka rezultuar se të pandehurit Gazmend Peposhi dhe Kalosh Peposhi janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në rrethin e Kukësit, gjatë zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë”, njoftoi SPAK.
Sipas SPAK, “gjatë fushatës zgjedhore, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u kanë premtuar dhe dhënë shuma monetare zgjedhësve të Njësisë Administrative Ujmisht, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë”.
Hetimi, nënvizoi SPAK, “ka evidentuar se të pandehurit kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore në mbështetje të këtij subjekti politik, duke ofruar dhe shpërndarë mjete monetare ndaj zgjedhësve për të ndikuar në mënyrën e votimit të tyre”.


