Shtyhet seanca në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku do bëhej shqyrtimi i kërkesës së ish-presidentit Ilir Meta për lirimin nga qelia.
Seanca u shty më 28 tetor, për shkak të bojkotit të avokatëve në rang kombëtar, që do të vijojë deri të premten e 28 tetorit. Gjykata pezulloi gjithashtu afatet e paraburgimit për kryetarin e Partisë së Lirisë.
Sjellim ndërmend se edhe seanca e mëparshme u shty pas kërkesës së avokatit të tij, Kujtim Cakrani, i cili pretendoi se në njoftimin zyrtar të gjykatës nuk ishte specifikuar emri i gjyqtares që do të shqyrtonte çështjen.
Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit të kaluar, pasi ndaj tij rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik dhe në fund të gushtit e dërgoi dosjen për gjykim, duke bashkuar në një çështje të vetme hetimet për aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së (sot Partia e Lirisë) në SHBA dhe pasurinë e padeklaruar.
Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, GJKKO rrëzoi kërkesën tjetër të Metës për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi “arrestin me burg”. Ish-presidenti pretendoi se prokuroria kishte tejkaluar afatin ligjor të 12 muajve për dërgimin e çështjes në gjykatë, por gjyqtarja Irena Gjoka e cilësoi këtë pretendim të pabazuar në ligj.
Pas vendimit, avokati Cakrani reagoi ashpër, duke e cilësuar procesin “të padrejtë” dhe duke akuzuar sistemin gjyqësor se nuk respekton më parimin e prezumimit të pafajësisë. Ai njoftoi se mbrojtja do të paraqesë një tjetër kërkesë për revokimin e masës së sigurisë, duke theksuar se Meta nuk përbën rrezik për prishje provash apo ndikim tek dëshmitarët.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024 nga agjentët e BKH-së pranë “Kthesës së Kamzës”, ndërsa po shkonte drejt selisë së Partisë së Lirisë. Në të njëjtën dosje hetimore është përfshirë edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e akuzuar për pastrim parash.
Gjatë një viti paraburgim, Meta ka bërë disa herë kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë, por të gjitha janë rrëzuar nga gjykatat e të gjitha niveleve, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, e cila më 16 tetor konfirmoi mbajtjen e tij në burg.
Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, kërkesa e fundit e Metës për “shuarjen e masës së arrestit në burg” u rrëzua më 22 tetor 2025 si “e pambështetur në ligj”. Palët kanë të drejtë ankimi brenda pesë ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Ndërsa sot, Apeli i GJKKO-së pritet të vendosë nëse ish-presidenti do të qëndrojë pas hekurave apo do të lirohet në pritje të gjykimit për dosjen e bujshme.