DURRËS
Pjetër Kodheli, 69 vjeç, mbeti i vrarë këtë të martë, 28 tetor, në Durrës, pasi u godit me thikë nga i biri. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:00, në shtëpinë e familjes, në Shkallnur.
Në një njoftim paraprak për mediat, policia tha se autori është djali 25-vjeçar i viktimës, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Pas krimit, ai u largua nga vendi i ngjarjes për t’u arrestuar pak kohë më pas në zonën e plazhit.
Shkaqet dhe rrethanat e vrasjes momentalisht nuk dihen. Një grup hetimor po punon për zbardhjen e saj.
“Rreth orës 13:00, shtetasi M. K., 25 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor, ka vrarë me mjet prerës (thikë), babanë e tij, shtetasin P. K., 69 vjeç, në banesën e tyre, në fshatin Shkallnur. Shërbimet e Policisë, menjëherë pas njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë kontrolle intensive, me qëllim kapjen e 25-vjeçarit. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë së Durrës.
TIRANË / KOMUNA E PARISIT
Një sherr mes stafit të një lokali në Tiranë i kushtoi jetën një 34-vjeçari këtë të martë, 28 tetor. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:30, në zonën e Komunës së Parisit.
Sipas policisë, palët u përfshinë në një konflikt për motive të dobëta, që degjeneroi deri në përdorimin e thikës. Sherri, siç mund të shihet edhe në foton më lart, ndodhi në mes të lokalit.
“Rreth orës 15:30, në zonën e Komunës së Parisit, në ambientet e një lokali, shtetasi F. Sh., rreth 41 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasin I. I., rreth 34 vjeç, të dy punonjës të lokalit. Shtetasi I. I. ka humbur jetën në spital, si pasojë e plagëve. Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, autori i dyshuar, shtetasi F. Sh., është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, menjëherë pas ngjarjes. Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të rastit“, tha policia e Tiranës në një njoftim paraprak për mediat.
BERAT
Një tjetër ngjarje e rëndë në vend këtë të martë, 28 tetor. Këtë herë, i vrarë ka mbetur një 42 vjeçar në Kalanë e Beratit. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se autori është një 63 vjeçar me precedent të mëparshëm penalë në Greqi.
“Rreth orës 15:10, në lagjen e Kalasë, shtetasi K. M., alias K. H., 63 vjeç, banues në lagjen “Barrikadë”, Berat, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës shtetasin K. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka humbur jetën. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe po kontrollojnë zonën për kapjen e tij. Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes”, njofton Policia.


