Drejtoria Vendore e Policisë së Durrësit njofton se i ka ardhur në ndihmë një të mituri, i cili ishte në rrezik mbytjeje në zonën e Shëngjinit.
Sipas njoftimit të policisë, në hapësirën e quajtur “Vaska e Marinës”, Shëngjin, një i mitur që kishte rrëshqitur nga gurët e shkallares rrezikonte të mbytej, pasi për shkak të problemeve shëndetësore e kishte të vështirë notimin. Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës u nisën menjëherë drejt zonës së sinjalizuar.
16-vjeçari u lokalizua dhe mori ndihmë të menjëhershme nga shërbimet e Policisë.
Ai u nxor me mjet lundrues në breg dhe u transportua për ndihmë të specializuar mjekësore në Spitalin Rajonal të Lezhës, në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të kontaktojnë Policinë në çdo rast nevoje dhe garanton se ndihma do të jetë e menjëhershme dhe profesionale.


