Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda shpalli zyrtarisht thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionet e 12 drejtuesve të qarqeve.
Punonjësit e interesuar që shprehin interesin për të aplikuar për pozicionin “Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë” dhe plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave të 16 tetorit 2024 “Për miratimin e rregullores për përzgjedhjen e kandidatit për zëvendësdrejtor të përgjithshëm, drejtor të departamentit, drejtor të drejtorisë vendore dhe shef të komisariatit në Policinë e Shtetit”, duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë brenda datës 29 tetor pranë Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dokumentacionin e nevojshëm.
Kritere të përgjithshme:
- a) Të mbajë gradën “Drejtues” ose “Drejtues i Parë”;
- b) Të ketë shtetësi shqiptare;
- c) Të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ç) të mos ketë marrë masat disiplinore të përcaktuara në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të pikës 1 të nenit 123 të ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, brenda 3 (tre) vjetëve të fundit;
- d) Të jetë në kushte shëndetësore, që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
- dh) Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.
Si do të bëhet vlerësimi i kandidatëve?
Pas përfundimit të afatit 7-ditor për paraqitjen e shprehjes së interesit, KVA-ja publikon në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit emrat e kandidatëve.
Brenda afatit 10 ditor nga momenti i mbylljes së fazës së aplikimeve, KVA-ja kryen vlerësimin paraprak të aplikimeve, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore. Nëse është e nevojshme, pa kaluar afatin e parashikuar në këtë pike, KVA-ja kërkon informacione të mëtejshme prej kandidatit, institucioneve publike apo punëdhënësit të kandidatit.
Në përfundim të vlerësimit paraprak, KVA-ja harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidati dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni.
KVA-ja merr vendim për skualifikimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe i njofton me shkrim kandidatët, në mënyrë të posaçme dhe të arsyetuar për shkaqet e skualifikimit.
KVA-ja organizon intervistën me kandidatët dhe i njofton ata të paktën 48 orë përpara për datën, vendin dhe orën e intervistës. Anëtarët e komisionit i drejtojnë pyetje kandidatit në përputhje me kriteret e vlerësimit, të përcaktuar në VKM-në Nr. 641, datë 16.10.2024 “Për miratimin e rregullores për përzgjedhjen e kandidatit për zëvendësdrejtor të përgjithshëm, drejtor të departamentit, drejtor të drejtorisë vendore dhe shef të komisariatit në Policinë e Shtetit”.
Seanca e intervistës për secilin kandidat mbahet në praninë e të gjithë anëtarëve të komisionit. Intervista do të fokusohet në fushat e vlerësimit të kandidatit
Çdo kandidat ka të drejtën e ankimit pranë Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave për shkeljet procedurale të pretenduara, brenda dy ditëve nga shpallja e rezultateve paraprake.