Policia e Shkodrës gjeti dhe sekuestroi në fshatin Ura e Shtenjtë një arsenal armësh dhe municione luftarake, ndërsa vuri në pranga dy persona.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Ndërmollasi 2”, policia njoftoi sot se “gjatë kontrollit në banesën e shtetasit R. M, 29 vjeç, në fshatin Ura e Shtrenjtë (i arrestuar në datë 14.09.2025, në kuadër të operacionit të koduar “Ndërmollasi”), ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 11 armë zjarri, 5506 fishekë luftarak, 7 krehra arme zjarri automatik, 6 krehra armë zjarri pushkë, 35 metra fitil detonator; 25.2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa; 2 palë targa të huaja, njëra e shtetit të Gjermanisë, tjetra e shtetit të Austrisë”.
Sipas policisë, në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestuan shtetasit S. M., 29 vjeç dhe S. M., 31 vjeç, të dy banues në fshatin Ura e Shtrenjtë, pasi nga hetimet e para dyshohet se janë posedues të tyre dhe bashkëpunëtorë të shtetasit R. M..
Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifkimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.


