Një sasi prej 1 kilogram e 130 gramësh lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa është sekuestruar nga Policia e Elbasanit gjatë një operacioni të koduar “Shitblerja”.
Në kuadër të operacionit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, nën drejtimin e Prokurorisë, ushtruan kontroll në banesën e shtetasit K. N., 40 vjeç, banues në Elbasan.
Gjatë kontrollit në banesë, Policia gjeti dhe sekuestroi si prova materiale 1 kilogram e 130 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e së cilës ishte e ndarë në doza të gatshme për shitje. Gjithashtu u sekuestruan një peshore elektronike, një armë gjahu që dyshohet se mbahej pa leje, 71 700 lekë dhe 100 euro.
Në momentin e ndërhyrjes, 40-vjeçari nuk ndodhej në banesë dhe është shpallur në kërkim. Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, në kuadër të të njëjtit operacion janë proceduar në gjendje të lirë dy persona, B. D., 37 vjeç, dhe A. S., 20 vjeç, të dy banues në Elbasan.
37-vjeçari u kap pranë banesës së 40-vjeçarit të shpallur në kërkim, ku dyshohet se kishte shkuar për të blerë lëndë narkotike. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një thikë.
Po në afërsi të banesës u kap edhe 20-vjeçari, të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike që, sipas dyshimeve të Policisë, e kishte blerë nga shtetasi K. N.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


