Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi u shpreh sot se, shqyrtimi i dosjeve me shpejtësi është një faktor i rëndësishëm, por shpejtësia pa koherencë sjell rrezikshmëri juridike.
Sadushi e bëri këtë deklaratë gjatë konferencës kombëtare “Cilësia e drejtësisë”, ku të pranishëm ishin edhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi dhe të tjerë personalitete të fushës juridike dhe penale në vend.
Sadushi tha se “cilësia e drejtësisë nuk matet vetëm me shpejtësinë e gjykimit apo uljen e ngarkesës së çështjeve, por mbi të gjitha me forcën e arsyetimit, qartësinë dhe me parashikueshmërinë e vendimmarrjes”.
“Shpejtësia është e rëndësishme, por shpejtësia pa arsyetim dhe pa koherencë kthehet në rrezik për sigurinë juridike. Ngarkesa dhe prapambetja janë realitete që nuk i shmangim lehtë. Megjithatë, drejtësia nuk mund të matet vetëm me numra. Treguesit statistikorë janë të dobishëm, por prova kryesore mbetet vendimi i arsyetuar, i kuptueshëm dhe i zbatueshëm”, tha Sadushi.
Kreu i Gykatës së Lartë, nënvizoi se drejtësia nuk mund të matet vetëm me numra.
“Nëse një gjyqtar, një prokuror apo një avokat e ka të vështirë ta gjejë orientimin; nëse e gjen, por nuk e kupton dot thelbin; nëse e kupton, por nuk e lidh dot me çështjen konkrete, atëherë ne kemi dështuar ta kthejmë jurisprudencën në instrument cilësie. Për të kapërcyer këto pengesa, janë të rëndësishme mjetet konkrete të aksesit dhe orientimit. Botimet e integruara janë një hap i rëndësishëm. Sfida është që kjo jurisprudencë të kthehet në praktikë pune, jo thjesht në material reference”, tha Sadushi.
“Kur jurisprudenca përdoret si mjet pune, drejtësia bëhet më e parashikueshme; kur përdoret si formalitet, drejtësia bëhet më e ngadaltë. Për ta kthyer këtë parim në veprim, duke qenë se kjo konferencë kërkon zgjidhje praktike e jo teori, dëshiroj të shpall tri angazhime të qarta, në linjë me objektivat e saj për aksesin, shpërndarjen dhe përdorshmërinë e jurisprudencës”, vijoi ai.
Sadushi u ndal te strukturimi tematik dhe i qartë i standardit.
“Synimi ynë është që botimet dhe përmbledhjet të shoqërohen me përkufizim të standardit, fjalë-kyçe dhe identifikim të qartë të parimit, me qëllim që praktikanti i së drejtës të mos humbasë në shumë faqe për të gjetur një fjali udhëzuese”, tha ai.
Më tej, Sadushi theksoi si një tjetër element të rëndësishëm edhe aksesin më funksional dhe përdorim më të gjerë në botimet e integruara dhe buletinet që përdoren në trajtimin e çështjeve të caktuara.
“Komunikim profesional dhe përfshirje në trajnime të vazhdueshme. Jurisprudenca nuk përhapet vetëm me publikim, ajo përhapet me shpjegim, me dialog profesional dhe me punë në raste konkrete gjatë trajnimeve. Ky dimension duhet të jetë pjesë e kulturës sonë institucionale”, vijoi ai.
Sadushi tha se kjo konferencë kujton një të vërtetë themelore, që qytetari nuk e mat drejtësinë nga fjalët, por nga vendimet.
“Nëse duam besim publik, duhet të ndërtojmë kulturën e koherencës. Kjo nuk është detyrë e një institucioni të vetëm, është kontratë e përbashkët e gjykatave, profesionistëve të së drejtës dhe e botës akademike, me mbështetjen e partnerëve tanë”, pohoi Sadushi.
Në fund të fjalës së tij, kreu i GJL-së, tha se qytetari nuk ka pse të “hamendësojë” drejtësinë.
“Ai ka të drejtë ta parashikojë atë. Kjo arrihet vetëm kur ligji zbatohet pa devijime të pajustifikuara, arsyetohet drejt dhe komunikohet qartë. E kundërta e cilësisë nuk është thjesht gabimi, është arbitrariteti. Le ta zëvendësojmë arbitraritetin me koherencë dhe ta kthejmë këtë në shenjën e besueshmërisë së drejtësisë”, tha Sadushi.


