Transporti ajror në vend ka shënuar një rritje të konsiderueshme gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, si në volum mallrash ashtu edhe në numrin e pasagjerëve.
Sasia e mallrave të transportuar, përfshirë edhe postën, ka arritur në afro 799 tonë, duke regjistruar një rritje prej 42,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e këtij volumi, rreth 67,5%, përbëhet nga mallra të ardhura, ndërsa pjesa tjetër prej 32,5% janë mallra të nisura drejt destinacioneve të tjera.
Ndërkohë, numri i udhëtarëve që kanë përdorur linjat ajrore ka kaluar shifrën e 3 milionëve, një rritje me 6% krahasuar me periudhën prill-qershor të vitit 2024, kur u regjistruan rreth 2.8 milionë pasagjerë.
Sa i përket tregtisë ajrore, janë regjistruar 583 tonë mallra të importuara dhe eksportuara, me një rritje modeste prej 2,3% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pavarësisht rritjes, mallrat e importuara me rrugë ajrore zënë vetëm 0,02% të totalit të importeve në vend.
Gjatë kësaj periudhe, transporti ajror është kryer nga 29 kompani ajrore, ku vetëm njëra prej tyre është shqiptare, ndërsa 28 janë të huaja. Hapësira ajrore shqiptare ka përpunuar mbi 110 mijë fluturime, nga të cilat rreth 83% janë fluturime mbikalimi.