Reshjet intensive të shiut janë rikthyer gjatë natës në qytetin e Lezhës, duke shkaktuar përmbytje në disa akse rrugore dhe grumbullime të konsiderueshme uji.
Raportohet se situata paraqitet problematike këtë të mërkurë, 26 nëntor, veçanërisht në bllokun “11 Janari” dhe në lagjen “Besëlidhja”.
“Të paktën bashkia të na japë një palë çizme, kur nuk zhbllokohet, të na japin çizme të paktën”, ironizon një banor situatën.
Një tjetër shprehet: “E vështirë shumë. Sa herë bie shi kështu, për shkak të punës së mirë të shtetit tonë. Nuk pyet kush a jemi gjallë, nuk pyet kush!”
Sipas banorëve të zonës, niveli i ujit ka arritur deri në 80 centimetra në shkallët e para të pallateve, duke krijuar vështirësi serioze në lëvizje dhe duke rrezikuar futjen e ujit në banesa.
Si pasojë, qarkullimi i këmbësorëve dhe automjeteve është bërë tepër i vështirë.
Në terren kanë ndërhyrë që në orët e para ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve, të cilat po punojnë për mbajtjen hapur të pusetave dhe për largimin e ujërave, me qëllim parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës.


