Policia e Shtetit njoftoi sot se për shkak të reshjeve të borës, qarkullimi është vështirësuar në disa akse rrugore, kryesisht në zonat malore të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë dhe në Sarandë.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme janë në terren me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në rast nevoje.
Policia bëri të ditur se po bashkëpunon me entet pronare të rrugëve dhe firmat kontraktore, me qëllim pastrimin e rrugëve nga bora dhe shpërndarjen e kripës.
Sipas policisë puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve vijon në mënyrë intensive.
Policia njoftoi se në Qafë-Thanë, nuk do lejohet kalimi i kamionëve (rreth 2-3 orë) derisa rruga të pastrohet nga borëpastruesja në tokën maqedonase.
Policia Rrugore apelon që drejtuesit e mjeteve të: bëjnë kujdes gjatë lëvizjes, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore, si dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.
“Për ndihmë, telefononi 112”, njoftoi policia.


