Greqia ka ratifikuar marrëveshjen për përcaktimin e kufijve detarë me Egjiptin, me gjithë kundërshtinë e Turqisë.
Marrëveshja Athinë-Kajro, e arritur në fillimin e gushtit, i lejon dy vendet të shfrytëzojnë rezervat e naftës dhe gazit në një zonë ekonomike ekskluzive.
Sipas Ankarasë kjo nuk është e mundur pasi zona e demarkuar nga Greqia dhe Turqia mbivendoset në shelfin kontintental turk në bazë të një pakti të firmosur me Libinë nëntorin e kaluar, dhe për më tepër, Turqia pretendon se Athina nuk kufizohet me Kajron në det.
Një tjetër pakt për zona ekskluzive u firmos në muajin qershor mes Greqisë dhe Italisë.
“Marrëveshjet e Greqisë me Italinë dhe Egjiptin janë dypalëshe, pra të vlefshme për të gjithë. Ato janë shembulli brilant i pajtimit transnacional, në bazë të Ligjit të Detit, dhe janë provë se me diplomaci sistematike kapërcehen pengesat më të pakalueshme në përfitim të njëri-tjetrit.”
Kryeministri grek, Qirjakos Micotaqis, u paraqiti të premten ligjvënësve edhe planet për të zgjerimin e ujërave të vet territorialë nga 6 në 12 milje nga bregdeti i Jonit.
Kjo zgjidhje është pranuar nga Italia dhe do konsultohet së shpejti edhe me Shqipërinë, ndërkohë që Turqia ka paralajmëruar se një lëvizje e ngjashme në brigjet lindore të Mesdheut do ishte e papranueshme dhe shkak konkret për luftë.
Kryeministri Micotaqis tha se është i gatshëm të ulet në tryezë më homologët në Ankara.
“Historikisht, grekët kanë qenë të parët që kanë zgjatur degën e ullirit. Ne akoma jemi të hapur të pajtohemi me Turqinë për të vetmen çështje pezull që kemi, për demarkacionin e zonave detare në Egje dhe në Mesdheun Lindor, por me një kusht: të ndalin menjëherë provokimet.”
Dy aleatët e NATO-s, Greqia dhe Turqia, vijojnë përplasjet për të drejtat territoriale në Mesdheun Lindor, një zonë e pasur me gaz natyror.
Tensionet janë përshkallëzuar këtë muaj kur Ankaraja dërgoi anijen e vet eksploruese të studiojë terrenin për hidrokarbure, ndërsa të enjten njoftoi se nga java e ardhshme do të zhvillojë manovra luftarake afër Qipros, për të treguar gatishmërinë në rast konflikti me Athinën.
Vendet e Bashkimit Europian i kanë kritikuar manovrat dhe pozitat politike të Turqisë për detin.


