Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës (Ukraine Recovery Conference – URC 2026), e cila zhvillohet me pjesëmarrjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësuesve të biznesit dhe organizatave të shoqërisë civile nga mbarë bota.
Konferenca synon të forcojë mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën dhe të mobilizojë investime për rindërtimin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
Gjatë fjalës përshëndetëse në sesionin e dytë plenar të Konferencës, Rama theksoi se Ukraina duhet të sigurojë paqen me të njëjtën vendosmëri me të cilën mbron lirinë e saj.
“Ndërkohë, Ukraina po rindërtohet, ndërsa njëkohësisht mbron veten. Ky është kuptimi i madh i kësaj konference. Shqipëria është këtu me një bindje shumë të thjeshtë: Ukraina duhet ta sigurojë paqen me të njëjtën vendosmëri me të cilën po mbron lirinë e saj”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se “ne e shohim rindërtimin e Ukrainës dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor si procese që përforcojnë njëri-tjetrin. Të dyja kanë të bëjnë me plotësimin e Europës, forcimin e qëndrueshmërisë së saj dhe uljen e cenueshmërive strategjike”.
Sipas tij “rindërtimi nuk është bamirësi, por strategji. Nuk bëhet fjalë vetëm për të riparuar atë që është shkatërruar, por për të ndërtuar një Ukrainë demokratike, europiane, moderne dhe të qëndrueshme, duke treguar se e gjithë Europa është e aftë ta bëjë këtë”.
Në përfundim Rama nënvizoi se “Ukraina po rindërton guximin e Europës. Europa duhet të ndihmojë në rindërtimin e së ardhmes së Ukrainës”.
Punimet e konferencës do të fokusohen në sektorët më të prekur nga agresioni rus, përfshirë energjinë, infrastrukturën kritike dhe logjistikën, si dhe në forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes, të konsideruara thelbësore për procesin e rindërtimit.


