Kryeministri Edi Rama iu bëri sot thirrje të rinjve t’i drejtohen arsimit profesional.
Në fjalën e tij në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Pogradec, Rama u shpreh se, “sfida jonë e parë është rritja e kapaciteteve profesionale të të gjithë atyre që janë në të gjithë zinxhirin e prodhimit dhe të shërbimeve”.
Rama përsëriti thirrjen për prindërit që kanë fëmijë që janë në moshën për të shkuar në gjimnaz dhe që nuk janë me nota të mira.
“Ata fëmijë që shkojnë në gjimnaz dhe që janë fëmijë të 5-ës, të 6-ës, të 7-ës. Ata fëmijë mund të kenë aftësi dhe më siguri kanë aftësi të tjera. Nuk kanë aftësinë përqendrimin, dëshirën si ta doni ju, për t’u ngulu, për të lexuar, për t’u bërë inxhinierë, e për t’u bërë ekonomistë. Por ata kanë patjetër kapacitetin dhe talentet e tyre. U duhet dhënë një zanat. Dhe ai zanat do t’i bëjë në radhë të parë që të mos kenë nevojë për njeri, por me atë zanat patjetër të marrin një punë. Dhe në radhë të dytë siç ndodh me shumë njerëz të biznesit, jo këtu, por në të gjithë botën. Njerëzit e biznesit shumica e tyre nuk vijnë nga Akademia, vijnë pikërisht nga rruga e zanateve, vijnë piëkrisht nag rruga e punës e kështu me radhë.
Dikush që ka një zanat, që merr një shkollë profesionale për hidraulik, elektricist, marangoz e çfarëdo gjëje tjetër nga këto. Qoftë edhe për të qenë në zinxhirin e shërbimit hotelier nesër mund të bëjë kompaninë e vetë, biznesin e tij të vogël si fillim. Biznes të vogël shërbimi dhe pastaj në varësi të aftësive dhe talentit mund të rritet”.
Rama tha se, “është gjynah nëse këta fëmijë çohen në Universitet dhe sorollaten më pas me një diplomë që s’ka asnjë vlerë, sepse nuk janë të zot për atë gjë për të cilën kanë marrë diplomën. Apo sepse tregu nuk e kërkon fare atë lloj diplome në atë masë që ka diploma. Ndërkohë që në rrugën e arsimit profesional këta fëmijë do të kenë një të ardhme”.
“Dhe në një vend si i yni që as nuk diskutohet që turizmin do ta ketë një industri kryesore dhe ku, jo që do ketë punë për të gjithë, po do ketë nevojë për të gjetur punonjës edhe përtej atyre që ka vendi, është fatkeqësi që të mos kesh një zanat dot dhe të mos jesh i mësuar që të punosh me një zanat dhe të dalin përpara teje të tjerë që shkojnë kompanitë i marrin jashtë shtetit. Është fatkeqësi.
“Aq më tepër nëse lidhen këto zanate me investimin minimal që bën një familje në një zonë çfarëdo qoftë për të bërë një bujtinë dhe me atë bujtinë për të mbajtur veten familja dhe për të krijuar të ardhura”.
“Për këtë arsye ne do të shtyjmë shumë fort në këtë drejtim, por na duhet mirëkuptimi i prindërve shumë për këtë dhe patjetër në duhet një organizim më i mirë i gjithë sistemit të arsimit”, u shpreh Rama.


