13.5 C
Tirana

Rama: Në Shqipëri nuk ka imunitet ndaj hetimit, por askush s’duhet të cenojë lirinë pa arsye të fortë

Më datë:

 Kryeministri Edi Rama ngriti sërish sot shqetësimin lidhur me urdhërarrestet dhe masat e sigurisë, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë në Kryesinë e Kuvendit.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se në Shqipëri nuk ka imunitet ndaj hetimit për asnjë funksionar, duke nënvizuar se organet e drejtësisë mund të nisin hetime ndaj kujtdo, përfshirë Presidentin, Kryeministrin apo ministrat, pa pasur nevojë për leje paraprake.
“Duhet të jemi të qartë edhe për një gjë tjetër: kur vjen puna te personat me të ashtuquajturin imunitet, në Shqipëri nuk ka imunitet ndaj hetimit. Në Shqipëri ka imunitet vetëm për të siguruar që liria e personit, liria individuale e tij, cenohet vetëm me një arsye të fortë. Nuk ka imunitet ndaj hetimit në Shqipëri”, u shpreh Rama.

Ai kujtoi se në Gjermani dhe vende të tjera në Europë, duhet të kërkosh leje për të filluar hetimin, siç e kemi pasur ne shumë vite më parë.

“Edhe në shumë vende të tjera të Europës duhet të kërkosh leje për të nisur hetimin. Në Shqipëri nuk i merr leje askujt për të filluar hetimin dhe mund të vendosësh nën hetim këdo qoftë, Presidentin, Kryeministrin, ministrat, me të gjitha instrumentet që ka hetimi, dhe askush nuk të pengon”, theksoi Rama.

Kur vjen puna tek imuniteti për të kërkuar kufizimin e lirisë, vijoi Rama, aty pastaj nuk është më çështje hetimi, është çështje e personit.

“Aty sigurisht ka një proces tjetër paralelisht që ne do ta zhvillojmë, duke qenë shumë të vëmendshëm dhe natyrisht gjithmonë në respekt të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe të drejtësisë për të bërë punën e vet. Por ama secili duhet të bëjë punën e vet. Ne nuk jemi këtu që drejtësia të bëjë punën e vet dhe ne të bëjmë punën e drejtësisë, as në sensin pozitiv, as në sensin negativ. Ne jemi këtu për të qeverisur, për të marrë vendime, për të çuar përpara proceset tona, për të realizuar programin tonë qeverisës, për të mundësuar zhvillim ekonomik”, u shpreh Kryeministri.

Natyrisht, vijoi Rama, jam shumë i ndjeshëm kur shoh që edhe vetë zhvillimi ekonomik vihet në pikëpyetje nga tkurrja për shkak të presionit të madh.

“Të bësh 50 kontrolle banesash në ditën e Vitit të Ri do të thotë të mos kesh asnjë ide për efektin psikologjik mbi shoqërinë, e cila është e mbyllur në shtëpi me familjet e veta dhe në televizor ose do të shikojë këngë dhe valle, ose se si shkohet nëpër banesat e gjithë dynjasë për çështje të para 5 viteve”, deklaroi Kryeministri.

Këto, tha ai, janë gjëra që janë eksese revolucionare në një kohë revolucionare.

“Kohën revolucionare e kemi stimuluar vetë dhe nuk kam asnjë pendesë për këtë. E bëjmë këtë diskutim edhe kur nuk ka kamera, dhe e di shumë mirë se shumë prej jush janë të zhgënjyer. Unë jo! 100 herë të kthehesha, 100 herë do të bëja të njëjtën gjë dhe e them këtë. Sepse nëse nuk do ta bënim këtë dhe nëse nuk do të vazhdonim këtë përpjekje, nuk do të ketë kurrë drejtësi të pavarur në Shqipëri, edhe për një gjeneratë tjetër”, deklaroi Kryeministri.

Sipas tij, kjo është rruga me dhimbjet dhe problemet e veta.

“Ne ne duhet të bëjmë çmos të ruajmë balancën, sepse po aq e rëndësishme sa përpjekja për drejtësinë e pavarur, është përpjekja për një administratë publike të mbrojtur dhe eficiente”, u shpreh Rama.

Punonjësit e administratës, vuri në dukje Kryeministri, nuk janë mish për top të askujt.

“Punonjësit e administratës nuk janë shënjestra për të mbushur prokurorët CV-të e tyre që të paraqiten nesër si kandidatë të ardhshëm për prokurori speciale. Është e patolerueshme ajo që ndodh në prokuroritë e rretheve, me fletarrestet që shpërndahen si të ishin ftesa për dasmë. Një punonjëse administrate që ka 5 vite që lufton me kancerin, që është me një fëmijë 2-muajsh, nuk mund të arrestohet pa pasur asnjë lidhje fare, vetëm sepse institucioni prezumohet se ka një lidhje me të. Çfarë janë këto? Ku jemi ne këtu?”, u shpreh Rama.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Rama nis vizitën zyrtare në Kosovë, pritet nga presidentja Osmani

Kryeministri Edi Rama ka nisur vizitën e tij në...

Duka rizgjidhet në krye të FShF-së edhe për katër vitet e ardhshme

Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Futbollit...

Alket Rizai në dhomën e vrasjes në burgun grek, hetimet fokusohen tek pistoleta dhe siguria

Vrasja e të burgosurit Antonis Papadatos pasditen e djeshme...

Tre shqiptarë ekstradohen nga Danimarka, Franca dhe Italia për drogë, pastrim parash dhe mashtrim

Finalizohen faza të tjera të operacionit policor ndërkombëtar të...