Kryeministri Edi Rama gjatë qëndrimit në Itali, mori pjesë në forumin “Intelligence on the World, Europe and Italy”, në panelin “Agjenda për Europën”, kushtuar rolit të Mesdheut dhe sfidave të reja europiane e globale.
Ai e nisi fjalën duke theksuar se është e domosdoshme se vendet Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.
Kryeministri solli shembullin e Shqipërisë, e cila sipas Ramës, ka potenciale të jashtëzakonshme dhe ëndrra e saj evropiane dëshmohen nga shumë faktorë, mes tyre pjesa e investimeve.
“Jemi i vetmi vend në Evropë, ku nuk ka një investim të mirëfilltë kinez dhe nuk na mungon çuditërisht. Unë besoj dhe jam një ithtar dhe i besoj fort Evropës por kjo është thirrja e një të dashuruari”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri u ndal te procesi i integrimit, ndërsa tha se mënyra më e mirë është integrimi gradual.
“Mënyra më e mirë e anëtarësimit është integrimi gradual. Është mënyra e vetme për të na futur në BE. Nuk besoj se 2027-a do të na presë lumturisht me kompetencën tonë të vetos. Nuk besoj se disa kryeqytete do të kenë aftësinë t’i thonë publikut: ‘Do ta marrim Shqipërinë me kompetencën e vetos’. Nuk na duhet kompetenca e vetos për t’u ulur rreth tryezës. Imagjinoni të kesh edhe 7 të marrë të tjerë të ulur rreth asaj tryeze. Do të ishte më mirë për Europën dhe për ne“, theksoi Rama.
“Shtatë fëmijët e Ursulës të ulen në tryezë”, Rama: Si duhet të funksionojë integrimi gradual
Në fjalën e tij, kryeministri shpjegoi edhe mënyrën që sipas tij duhet të funksionojë integrimi gradual në Bashkimin Evropian.
“Shtatë fëmijët e Ursulës duhet të përmbushin çdo kriter, duhet të ndjekin rregullat për çdo kapitull dhe duhet t’i bëjnë ballë të gjithë procesit të makinerisë prej 35 mijë grash e burrash, që është makineria më burokratike që ka krijuar njerëzimi. Ajo që duhet të ndryshojë është radha e veprimit: jo më parë 33 kapituj dhe më pas vendimi politik. Të 7 fëmijët, përfshirë Ukrainën, duhet të jenë në tryezë si fëmijët e Ursulës. Si fëmijë duhet të dëgjojnë babanë dhe nënën, Francën dhe Gjermaninë, pastaj tezen Itali dhe të tjerët. Por duhet të jenë rreth asaj tryeze, ndërkohë që përmbushin kriteret.
Çdo kapitull që përmbyllin i bën anëtarë brenda suazës së atij kapitulli. Nëse mbyll kapitullin për shkencën, për atë bëhesh anëtar dhe ke të njëjtat të drejta. Çdokush që duhet të marrë më shumë nga tryeza, i jep më shumë tryezës, por duhet të jenë të pranishëm“, tha Rama.


