Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me mësuese dhe mësues në Tiranë, ku së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, shpjegoi detaje të planit të qeverisë për rritjen e pagave në tërësi, me fokus të veçantë në rritjen e pagave për arsimtarët.
Në fjalën e tij Rama tha se, “nëse sot që flasim rritja mujore do të jetë 3500 për mësuesit e shkollave 9-vjeçare, 3843 për mësuesit e shkollave të mesme dhe 5800 për drejtuesit, që të bërtasin më shumë. Tek rritja e përgjithshme, mësuesit në shkollën 9-vjeçare do të kenë një pagë 95 550, ndërsa mësuesit në shkollën e mesme 106 800 lekë”.
“Sigurisht këto janë bazat, ka sipas vjetërsisë e kualifikimeve që variojnë. Ky është niveli i pagës së mësuesve, është një rritje e mirë, e ndjeshme dhe është thuajse dyfishi i pagës që keni pasur. Sot jemi në fazë të re në të gjithë aspektet e parametrave financiarë të shtetit. E rëndësishme, rrisim pagat kaq ndjeshëm, por po vazhdojmë të ulim borxhin publik. Kjo rritje pagash do të sjellë më shumë motivim dhe përkushtim për punën të gjithëve”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se, “kjo do të tërheqë më shumë edhe sektorin privat. Edhe ai duhet të shikojë sistemin e vet, pasi mësuesit shkojnë në nivele që janë konkurruese me sektorin privat”.
Më tej Rama tha se “kategoria juaj ka pësuar gjithnjë rritje të konsiderueshme pagash krahasuar me ku jemi nisur, gjithë përpjekja është bërë që të jetë e konsiderueshme, pasi në fund të ditës nuk është vetëm çështje mundësie”.
“Ju e keni dëgjuar që kemi vendosur të bëjmë një rritje të ndjeshme të pagave, gjë që për hir të së vërtetës e kemi vendosur duke u bazuar tek fakti që i kemi tani mundësitë që ta bëjmë këtë gjë, sepse nuk i kemi pasur më përpara, jo se nuk kemi dashur”, tha Rama.
Kryeministri Rama shpjegoi se rritja e pagave do të realizohet në dy etapa, ku fillimisht do të bëhet rritja 7 % dhe pastaj në hapin tjetër, pra vitin e ardhshëm, paga e arsimtarëve do të kapërcejë në një tjetër nivel.
“Kemi bërë një plan me dy hapa i cili do të nisë tani dhe do të përmbyllet në vitin e ardhshëm në mënyrë që të realizojmë këtë rritje. Ju e dini shumë mirë që për mësuesit, ishte parashikuar edhe për mjekët, rritja 7 %, kështu që do të bëjmë rritjen 7 % dhe pastaj në hapin tjetër, dhe ky nuk është premtim, por plan financiar, në hapin tjetër pra, vitin e ardhshëm, paga juaj do të kapërcejë në një tjetër nivel”, tha Rama.


