Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria ka vendosur në dispozicion të fermerëve Garancinë Sovrane e cila mund të shkojë deri në 1 miliard euro, por që nuk është shfrytëzuar sa duhet nga fermerët.
Në një takim me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026, Rama u shpreh e së pari fermerët duhet të orientohen drejt mundësive të pashfrytëzuara të financimit.
“Jemi mësuar t’i referohemi buxhetit të shtetit, por buxheti i shtetit tanimë është vetëm njëri nga komponentët e zinxhirit të financimeve të bujqësisë dhe natyrisht që është më i thjeshti sepse përcaktohet nga qeveria dhe miratohet nga parlamenti”, tha ai.
Ndërkohë, Rama solli në vëmendje faktin se komponentët e tjerë janë pak më të vështirë por do të bëhen gjithmonë e më të pranishëm, ndaj të gjithë duhet të aftësohen për t’i shfrytëzuar.
“Sot në vendin tonë çështja e finacimit të projekteve dhe punëve të secilit nuk është problem në aspektin financiar, sepse paratë janë. Ajo që është problem është mungesa e informacionit dhe mungesa e përgatitjes për t’i thithur ato para. E njëjta gjë vlen edhe për atë që lidhet me BE-në. Ne do kemi gjithmonë e më shumë fonde nga BE, por këto fonde lidhen drejtpërdrejtë me sa të aftë jemi ne që t’i thithim dhe sa të aftë dhe përgatitur janë sektorët dhe sipërmarrësit”, tha Rama.
Duke folur mbi Garancinë Sovrane, Rama tha se në dispozicion të bujqësisë janë vendosur 250 milionë euro që mund të shkojnë edhe 1 miliard euro, në rast se do të konsumohen, përmes Bankës së Shqipërisë në bankat e nivelit të dytë.
“Të gjithë mund të shkojnë dhe të marrin kredi që janë me garanci nga shteti dhe ku normat e interesit janë shumë më të ulëta se sa në bankat e nivelit të dytë. Kjo garanci është shfrytëzuar shumë pak”, tha Rama.
Ndaj ai kërkoi nga pushteti vendor që të jetë më shumë aktiv në bashkëpunimin me fermerët dhe bujqit për të adresuar këto financime.
“Nuk duhet të ketë asnjë problem në rast se duhet një komponent si agropërpunimi, grumbullimi, mekanikë apo logjistikë sepse financimi ekziston. Bashkitë dhe fermerët duhet të krijojnë nukle apo struktura të përbashkëta për të marrë këto financime. Shteti ka detyrë t’i qëndrojë pranë fshatit dhe këtij sektori dhe fermerëve më shumë se të tjerëve, pasi është një sektor që duhet të mbështetet për të funksionuar si duhet”, tha Rama, ndërsa ritheksoi nevojë e bashkimit të fermerëve


