Kryeministri Edi Rama në një dalje publike në lidhje me situatën e shkaktuar nga koronavirusi, deklaroi se rritja e rasteve të të infektuarve ishte e pritshme.
Kreu i qeverisë theksoi se qytetarët duhet të respektojnë rregullat dhe të bëjnë detyrat e tyre të thjeshta.
“Është e kotë të përsëris se sa herë ju kam thënë se; COVID është një armik i padukshëm. S
i vë faj askujt prej jush që iu mërzit dhe u nervozua nga ajo mbyllje e madhe. Kujto që donte të shkonte në punë dhe të kthehej në normalitet.
Nuk i vë fajin as atyre që me politikën e tyre; hip se të vrava, zbrit se të vrava, që dhanë shembujt skandaloz me fjalët dhe tubimet rrugëve. Kur vendosëm që të hapeshim, ishim të qartë se hapja do të sillte rrezikun e harresës.
Por bëmë gjënë e duhur. Do ta ribënim sërish, sikur të ktheheshim aty ku ishim. Duke bërë protokollet e duhura. Isha dhe jam dakord me shumëkënd që kërkonte gjithnjë e më shumë ditë pas dite, kthimin në normalitet, duke thënë se shëndeti i ekonomisë familjare nuk mund të dobësohej përtej një pike të caktuar.
Kemi zgjedhur me vetëdije rrugën e këshillimit, dhe jo të ndëshkimit dhe mbylljes së bizneseve që nuk respektojnë një për një protokollet e sigurisë. Kemi dashur që të jemi mirëkuptues, që të bëjmë çmos që të lehtësojmë sa të mundemi hallin që na zuri. E kemi ditur dhe kemi thënë se numrat do të rriten.
Pasojat janë gjëja më normale që ndodh pas hapjes. Që po u ndodh të gjitha vendeve, ku më shumë e ku më pak. Ju kam kërkuar, ju kemi kërkuar vijimisht të mirëkuptoni nevojën për një solidaritet të ri dhe respektimin e rregullave. Secili të respektojë rregullat.
Me polici e ushtarë mund të kontrollosh mbylljen, por nuk mund të disiplinosh hapjen nëse qytetarët nuk bëjnë të gjithë secili detyrën e tyre të thjeshtë.”,- tha Rama.


