Kryeministri Edi Rama theksoi sot se digjitalizimi në nivelin e qeverisjes vendore mbetet ende një nga komponentët më të dobët të administratës publike, gjatë ceremonisë së prezantimit të Fazës II të projektit “EU4Municipalities” të mbajtur në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës.
Në aktivitet morën pjesë ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Silvio Gonzato, zëvendësambasadori i Gjermanisë në Shqipëri Thilo Schroeter, ministri i Shtetit për Qeverisjen Vendore Ervin Demo, si dhe kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako.
Projekti “EU4Municipalities”, i financuar nga Bashkimi Evropian me 10 milionë euro dhe me një kontribut shtesë prej 1 milion euro nga Gjermania, synon të mbështesë drejtpërdrejt bashkitë në përmirësimin e shërbimeve publike dhe infrastrukturës, si edhe të forcojë kapacitetet e tyre institucionale.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama u ndal veçanërisht te sfidat e digjitalizimit në nivel vendor, duke theksuar se ekziston një hendek i dukshëm me nivelin qendror të shërbimeve publike.
“Ka një diferencë të papranueshme dhe të pajustifikuar mes peshës që ka digjitalizimi në nivelin qendror dhe shërbimeve publike në nivel vendor”, u shpreh Rama.
Rama vuri në dukje se arsyet e këtij hendeku janë të ndryshme dhe kërkojnë adresim të koordinuar me Bashkimin Evropian dhe partnerët gjermanë.
“Do të gjejmë mënyrën për të adresuar këtë problem të digjitalizimit”, tha kryeministri.
Rama u bëri thirrje kryetarëve të bashkive që ta shohin projektin jo vetëm si burim financimi, por si mundësi për të forcuar kapacitetet njerëzore dhe për të ndërtuar struktura më të qëndrueshme në nivel vendor.
“Bëni më të mirën që ta përdorni këtë projekt jo si një mundësi financimi, por si një mundësi për të krijuar eksperiencë dhe për të fuqizuar kapitalin njerëzor, për të përgatitur brenda bashkive akoma më mirë, ato bërthamat e vogla që keni filluar të ngrini në funksion të projekteve dhe të financimeve nga Bashkimi Europian. Në këtë aspekt ky projekt është i pazëvendësueshëm”, deklaroi Rama.


