Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se në fund të këtij viti do të hapen për qarkullim 6 kilometrat e parë të superstradës Tiranë-Durrës, një nga projektet më të mëdha infrastrukturore që do të lehtësojë ndjeshëm trafikun drejt kryeqytetit dhe portit të Durrësit.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka theksuar se punimet në dy fazat e para për zgjerimin e aksit me dy korsi tashmë kanë avancuar ndjeshëm.
Në fund të këtij viti hapen për qarkullimin e automjeteve 6 kilometrat e parë të superstradës Tiranë-Durrës.
Punimet në dy fazat e para për zgjerimin e aksit me dy korsi tashmë kanë avancuar ndjeshëm, ndërsa hapja e tyre do të lehtësojë lëvizjen e automjeteve si dhe do ti japë kryeqytetit një hyrje dinjitoze. Po vijohet gjithashtu edhe me elementët e tjerë të projektit për të plotësuar të gjithë këtë vepër kaq të shumëpritur.”, shkruan Rama.
Sjellim ndërmend se ditën e djeshme, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi kantierin e punimeve për këtë superstradë. Ajo bëri me dije se punimet po ecin me ritme të larta dhe se dy fazat e para të projektit do të përfundojnë brenda këtij viti.
Ministrja shtoi se aktualisht po punohet në segmentin pranë “Kthesës së Kasharit”, një prej pjesëve të fundit të kësaj faze të projektit. “Jemi te 200 metrat e fundit tek Kthesa e Kasharit”, nënvizoi Balluku.
Autostrada Tiranë–Durrës po transformohet në një aks modern të kategorisë “A”, me parametra europianë.
“Në gjashtë kilometrat e para, duke nisur nga Casa Italia deri tek Mbikalimi i Kasharit, autostrada kthehet në autostradë të tipit A, me kurorë 32.5 metra gjerësi, me katër korsi nga të dyja krahët, tre për makinat dhe një për emergjencën”, shpjegoi ministrja.
Ky projekt është pjesë e planit të qeverisë për modernizimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e sigurisë në akset e vendit.


