20.5 C
Tirana

PS-PD konsensus për ngritjen e Komisioneve për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale

Më datë:

Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.

Pika e parë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 20 tetor – 28 nëntor 2025 dhe shqyrtimi i projektkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 20 tetor – 7 nëntor 2025.

Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi dhe çështja i kaloi për votim seancës plenare.

Për pikën e dytë dhe të tretë të rendit të ditës që ishte shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë për Realizimin e Reformës Zgjedhore” dhe shqyrtimi i kërkesës “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”, Konferenca e Kryetarëve arriti dakordësinë dhe miratoi dy kërkesat në fjalë.

Pika e katërt e rendit të ditës ishte shqyrtimi i kërkesës së Kryetarit të Komisionit të përhershëm për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural “Për ngritjen e tre nënkomisioneve pranë Komisionit për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural”. Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve miratoi kërkesën “Për ngritjen e 3 tre nënkomisioneve pranë Komisionit për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural”.

Gjatë punimeve në Konferencën e Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kundërshtoi ndërprerjen e seancës së shkuar dhe kalimin në votim nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

“Ajo çfarë keni bërë me seancën e fundit është shkelje e rregullores dhe e Kushtetutës. Po e citoj këtu: “Kërkoi ndërprerjen e seancës për shkak se po merrej fjala për procedurë. Zoti Peleshi, ju keni marrë përsipër të drejtoni Kuvendin. Nëse Kuvendi drejtohet nga kryetari i grupit, na e thoni, sepse opozita nuk ka vend në një Kuvend që diktohet nga forcat e kartonëve. Nuk mund ta mbyllni Kuvendin pse deputetët po flasin”, tha Bardhi.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh në Konferencën e Kryetarëve se fjala e Kryeministrit duhet respektuar.

“Ju lutem, mos na shtrembëroni atë qe themi. Po jua përsëris që kur flisni ju asnjë nuk pipëtin nga ana jonë. Të njëjtën gjë duhet të bëni dhe ju. Le t’i japim fjalën njëri-tjetrit që t’i japim mundësi të flasim të gjithë, sipas Rregullores. Jemi munduar t’ju themi që nga dita e parë, kur merr fjalën Kryeministri, duhet ta respektoni. Se si e përdor fjalën Kryeministri është e drejtë e tij. Kishte një propozim nga z. Bardhi për nisjen e debatit. Para se të hyjmë kemi disa kërkesa për mocione për debat. Këto kërkesa janë të përcaktuara qartë ne Rregullore, prezantohet pro dhe kundër dhe në fund mbas kësaj, votimi”, tha Balla.

Gjithashtu Partia Demokratike kërkoi heqjen nga programi i punës së Kuvendit të “Ligjit për Barazinë Ligjore”.

“Ky ligj duhet të hiqet nga programi i punës së Kuvendit, pasi është një ligj me ndjeshmëri të lartë publike dhe që, në thelb, cenon familjen. Duhet t’i japim kohë debatit, pasi, siç jemi në dijeni, ka një interes të madh nga grupe të ndryshme interesi, përfshirë edhe komunitetet fetare, për t’u përfshirë në konsultime dhe debat. Këto grupe dhe komunitete janë kundër”, theksoi deputeti Luçiano Boçi.

Po ashtu gjatë punimeve, në diskutimet për projektvendimin për ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore, kreu i grupit parlamentar të PD tha se “jemi dakord për ngritjen e komisionit, pasi kjo çështje është një detyrim. Por unë kërkoj që ky komision të ngrihet pasi të kemi raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it. Nuk mund të bëjmë ndryshime, kur jemi në pritje të rekomandimeve dhe sugjerimeve nga ai raport. Pra, propozoj që ngritja e këtij komisioni të bëhet menjëherë pas publikimit të raportit”.

Bardhi shtoi se “këtu është theksuar se komisioni përbëhet nga 16 anëtarë: 8 nga Partia Socialiste dhe 8 nga partitë e tjera parlamentare. Partitë parlamentare në Kuvend, referuar shpërndarjes së deputetëve, janë rreth 13. Pra, nuk veprohet mbi baza partish parlamentare, por mbi grupe parlamentare. Kjo ka qenë tradita e ruajtur. Sepse, po ta vlerësojmë ndryshe, do të thotë që PS t’i lërë një vend PSD-së, ndërkohë që kjo e fundit nuk është deklaruar në opozitë”.

Duke folur Komisioni i Posaçëm i Reformës Administrative-Territoriale, Bardhi theksoi se
“po prishni traditën parlamentare dhe minoni konsensusin. Kjo reformë duhet të garantojë një mekanizëm konsensual”.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Berisha: Qeverisja e Kosovës është tre herë më afër BE-së se qeverisja shqiptare

https://www.youtube.com/live/Fgk85qn9710?si=WigSoVg0Rg0rmvIC&t=710 Në një konferencë me gazetarët, Sali Berisha tha se...

Osmani pret në takim Ursula von der Leyen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po pret në takim...

Balla: Përfaqësim i të gjitha partive parlamentare në komisionin e reformës zgjedhore

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla...

Mashtrim me prokurë, i mori paratë nga llogaria e të burgosurit, nën hetim avokati Arben Lena

Prokuroria e Korçës po heton avokatin Arben Lena, pasi...